As Challandes s’po i beson Veselit për punën e 1 milion eurove (VIDEO)

As Challandes s’po i beson Veselit për punën e 1 milion eurove (VIDEO)

Selektori i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes ka mbajtur konferencë për shtyp para ndeshjes së nesërme ndaj Danimarkës. 

Trajnerit zvicerian iu bë një pyetje interesante rreth vizitës që kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli ia bëri Kombëtares të hënën.

Veseli premtoi premi prej 1 milionë eurove në rast të kualifikimit të Kosova në Evropianin 2020. Mirëpo, Veseli kishte bërë një premtim të tillë edhe para fillimit të Ligës së Kombeve.

Pasi Kosova fitoi Grupin 3 në Ligën D, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Gashi kishte kërkuar nga qeveria që Kombëtares së Kosovës t’i ndahen 500 mijë euro për këtë sukses, kërkesë kjo e aprovuar nga qeveria.

Gjatë vizitës së Veselit të hënën, ndër të tjera deklaroi se mjetet e premtuara më herët janë dorëzuar në FFK, raporton Periskopi.

Megjithatë, sipas “Indeksonline” mjetet ende nuk janë derdhur në llogarinë e federatës.

Tashmë janë bërë katër muaj nga përfundimi i Ligës së Kombeve dhe në prag të fillimit të kualifikimeve për Euro2020, Përfaqësueses së Kosovës i premtohet edhe një hsumë e madhe.

Edhe trajneri Challandes u çudit kur iu bë një pyetje e tillë, duke e përsëritur shumën: ”1 milionë euro?”, filloi të qeshte ai.

Ndër të tjera, 67-vjeçari nuk e sheh si problem vizitën dhe mbështetjen e politikanëve ndaj Kombëtares së Kosovës:

”Nuk flas për paratë apo politikën. E gjitha që mund të them është se ne jemi këtu në Kosovë, në shtetin tuaj sepse 10 vite nuk janë kohë e gjatë për një storie të një shteti dhe jam shumë i lumtur për mbështetjen e të gjithëve, që nënkupton të politikanëve dhe të gjithë njerëzve”.

”Mendoj që Kombëtarja e futbollit është e rëndësishme për një shtet dhe duhet të bëjmë gjithçka. Ne jemi Kosova dhe duhet të qëndrojmë të përulur. Dhe unë nuk e shoh si një problem mbështetjen e politikanëve dhe sponsorëve, është normale. Ky nuk është problem. Kemi organizim të mirë dhe kjo është e rëndësishme”, deklaroi Challandes. /Periskopi/

Momentin e kësaj pyetje mund ta ndiqni duke klikuar KËTU nga minuta 16:00

Shpërndaje në: