Auditori merret me mediat, shumë pak me tenderët gjigantë në KEK

Auditori merret me mediat, shumë pak me tenderët gjigantë në KEK

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, për herë të parë ka bërë një auditim edhe për Korporatën Energjetike të Kosovës -KEK. Të gjeturat e përgjithshme nuk del të jenë  aq të mëdha krahas kësaj ndërmarrje  që është punëdhënësi më i madh në Kosovë publik dhe shpenzuesi më i madh i parasë publike. Përkundër kësaj, auditori ka vendosur t’i japë një përkushtim e theks të madh kontratave të lidhura me mediat gjatë viteve paraprake. Aty jepen kritika se si KEK nuk ka përmbushur objektivën për promovim sa më të madh të punës së tyre…

Kontrata e ekspertit gjerman që u angazhua për të bërë disa riparime në KEK, në vitin e kaluar, e që ishte në një shifër e madhe, nuk ka gjetur vend në hetimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit -ZKA. Kjo për faktin se Auditori i jashtëm ka vendosur të auditojë pasqyrat financiare të kësaj ndërmarrje vetëm për vitin 2018 -2020. Pra, jo edhe të kohës së Qeverisë Kurti II.

Gjatë viteve 2018-2020 përmes prokurimit ajo ka lidhur 1 mijë e 60 kontrata me vlerë të përgjithshme prej 181.5 milionë euro. Prokurimi në KEK deri më sot nuk është audituar nga Zyra Kombëtare e Auditimit, prandaj duke pasur parasysh vlerën e lartë të kontratave të prokurimit, ka qenë në interes për publikun që t’i bëhet një vlerësim i madh nga aspekti i prokurimit.

Si rezultat, Auditori ka vendosur që një fokus shumë të madh, duke e renditur edhe të dytin për nga rëndësia t’ia japë disa kontratave që KEK-u kishte lidhur me mediat vendore. Sipas ZKA, KEK’u nuk kishte arritur të përmbushë objektivën për promovim në media.

“Njësitë kërkuese dhe zyra e prokurimit nuk kishin identifikuar nevojat dhe nuk kishin bërë analizë të tregut e që kishte rezultuar me objektiva të paqarta dhe të pamatshme të prokurimit. Për pasojë ishin lidhur, vit pas viti, kontrata efekti i të cilave ishte i panjohur në drejtim të realizimit të objektivave. Nga gjithsej 377,140 euro që ishin shpenzuar për promovim në media gjatë viteve 2018-2020, KEK-u kishte arritur vetëm 59,113 euro kthim përmes qendrës së trajnimeve profesionale. Pra vetëm 15% të shumës së shpenzuar kishte arritur të shndërronte në të hyra, ndërsa për objektiven tjetër nuk kishte matur efektin”, thuhet në raport.

Sipas auditorit, kontraktimin e këtij shërbimi me këta operatorë, menaxhmenti i KEK-ut e kishte parë si zgjidhje për vetëdijësim të opinionit për punën e KEK-ut meqë gjatë monitorimit ditor të mediave kishin vërejtur që pjesa më e madhe e qytetarëve ende nuk ishin mirë të informuar rreth përgjegjësive që kishte KEK-u pas procesit të shthurjes, me theks të veçantë pas privatizimit të Furnizimit dhe Distribucionit të Energjisë Elektrike, përkundër faktit se që nga maji i vitit 2013, afarizmi ekskluziv i KEK-ut është prodhimi.

“KEK-u nuk kishte aplikuar kritere të qarta për të përzgjedhur OE-të që më së miri do të përmbushnin objektiven e synuar. KEK-u nuk kishte kërkuar nga asnjëri OE që të sillte çfarëdo dëshmie lidhur me numrin dhe llojin e audiencës (shikuesve, lexuesve), pra kapaciteti i secilit OE në drejtim të realizimit të objektivave të synuara të KEK-ut ishte i panjohur. KEK-u kishte lidhur këso kontrata vit pas viti duke shpenzuar mesatarisht 162 mijë euro në vit, pa e matur asnjëherë efektin e këtyre kontratave”, thuhet tutje në raport.

Cilat janë gjetjet tjera?

Në vitin 2020, përmes prokurimit publik, KEK-u kishte kontraktuar shpenzime në vlerë prej 36 milionë euro, ndërsa në vitet paraprake (2019 dhe 2018), shpenzimi i kontraktuar ishte 88 milionë euro, përkatësisht 56 milionë euro.

Gjetjet e auditorit në tender, kryesisht janë të natyrës të keqplanfikimit të procedurave të prokurimit, ngushtimit të konkurrencës, etj. Bile për të treguar se sa shumë ka parregullsi aty, auditori është thirrë edhe në raporte të mediave.

“Shumë raporte në media dhe hulumtime nga organizatat e shoqërisë civile kanë gjetur vërejtje në aktivitetet e prokurimit që ka zhvilluar KEK-u”, thuhet në raportin e auditmit.

Pra, gjatë viteve 2018-2020 vlera e përgjithshme e kontratave që KEK-u ka lidhur është 181.5 milionë euro. Vlera e kontratave të lidhura me procedurë të negociuar, gjatë këtyre tri viteve, arrin afër 33 milionë euro, që përfaqëson 18% të vlerës totale të kontratave të lidhura nga KEK-u, ndërsa pjesa tjetër prej 82% janë kontrata me procedurë të hapur.

ZKA ka audituar vetëm rreth 35% të vlerës totale të prokurimeve, kontrata të negociuara në vlerë prej 7.75 milionë euro dhe 55 milionë euro nga procedurat e hapura.

Rëndom pas gjetjeve, Auditori lëshon edhe rekomandime për institucionin. Marrë parasysh se kjo ndërmarrje është auditor për 3 vite, janë lëshuar vetëm 8 rekomandime, që është më pak se sa mund t’i bëhet edhe ndonjë komune minore.

Periskopi ka hulumtuar në Prokurimin e KEK-ut dhe ka parë se në vitin e kaluar kjo organizatë buxhetore ka realizuar 522 tenderë në një vlerë prej 32,463,743.65 euro dhe të gjitha këto kontrata kanë mbetur jashtë objektivit të auditorit,  gjë që rrezikon  se do të mbulohen nga pluhuri, pasi rëndom Auditori pasqyron të gjeturat e viteve të kaluara, që i bie së auditmi i ardhshëm do të jetë për pasqyrat financiare 2022.

Si për shembull,  kontratat e realizuara në vitin e kaluar nga KEK që do të duhej me patjetër t’i nënshtroheshin auditimit janë ajo për ‘Furnizim me karburant të naftës dizel, për motora’ që ka qenë në vlerë prej 7.5 milionë euro, ‘Riparimi kapital i turbinës dhe gjeneratorit të bllokut A4’, në vlerë prej 3.2 milionë euro.

Se në KEK ka keqpërdorime të mëdha tregon edhe fakti se Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik -OSHP ka anuluar dhjetëra tenderë për kohën të cilën e përfshinë auditimi i ZKA.

Referuar raportit të OSHP’së për vitin 2020, kompanitë të cilat kanë pasur pakënaqësi në tenderët e realizuar nga KEK kanë deponuar ankesë në këtë institucion në 98 raste. Nga këto, në 38 raste OSHP i ka dhënë të drejtë prokurimit të korporatës, në 50 raste i ka dhënë të drejtë kompanive ankuese, nga ku është konstratuar që është shkel Ligji i Prokurimit Publik, dhe tenderi është dashur të kthehen në rivlerësim. Pastaj në 2 raste është marrë vendim që procedura të kthehet në ri-tender, ngase është shkelur Ligji në mënyrë flagrante, rast këto që janë të natyrës penale pa pardon. Në një rast është lëshuar urdhër që të zbatohet vendim i OSHP-së, ose do të pasonte një gjobë dhe do t’i tërhiqet licenca menaxherit të prokurimit, etj.

Referuar raportit të OSHP-së, në vitin 2019 kanë qenë 70 ankesa, nga to në 22 raste ka pasur të drejtë prokurimi i korporatës, në tjerat kompanitë ankuese. Pra është konstatuar se është shkelur Ligji në rreth 50 raste.

Në vitin 2018 janë deponuar në OSHP mbi 60 ankesa nën pretendimin se kompanive u është bërë e pa drejtë nga prokurimi i KEK. Nga këto, 29 raste i është dhënë të drejtë prokurimit të korporatës në 29 raste kompanive, ku është konstatuar se është shkel Ligji, dhe tenderit janë kthyer në rivlerësim.

Qeveria e Kosovës  e drejtuar nga Albin Kurti, në fund të vitit të kaluar i kishte dërguar Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) një kërkesë, përmes së cilës kërkoheshin që të auditohen edhe dy ndërmarrjet publike, Trepça sh.a., dhe Korporata Energjetike e Kosovës. /PERISKOPI/

Shpërndaje në: