Austria, vendi i parë i BE’së që e bën të obligueshëm vaksinimin kundër COVID-19

Periskopi.com Lajme

Parlamenti i Austrisë miratoi të enjten vendimin se vaksinimi kundër koronavirusit i të gjithë të rriturve në vend është i obligueshëm duke filluar nga shkurti.

Kështu, Austria bëhet vendi i parë i BE-së me këtë vendim, pavarësisht se dhjetëra mijëra qytetarë vazhdojnë të protestojnë ndaj masave të tilla në Austri dhe në mbarë Evropën.

Ligji gëzoi mbështetje të gjerë në parlament, me vetëm ligjvënësit e ekstremit të djathtë që votuan kundër tij.

Pas një “faze hyrëse” që përfundon në mes të marsit, ata që refuzojnë të bëjnë vaksinën do të përballen me gjoba deri në 3 mijë e 600 euro. Mandati zbatohet vetëm për të rriturit dhe bën përjashtime për gratë shtatzëna dhe ato me kushte mjekësore që i pengojnë të marrin injeksion.

“Vaksinimi është një mundësi për shoqërinë tonë për të arritur lirinë e qëndrueshme dhe të vazhdueshme, sepse virusi nuk mund të na kufizojë më tej”. tha kancelari Karl Nehammer, shkruan Dw.

Austria, e cila ka një popullsi prej rreth 9 milionë banorësh, ka pasur pothuajse 14 mijë vdekje të lidhura me COVID dhe 1.5 milionë infektime që nga fillimi i pandemisë.  Derisa Rreth 70% e popullsisë është plotësisht e vaksinuar.

Austria tani i bashkohet Ekuadorit, Taxhikistanit, Turkmenistanit, Indonezisë dhe Mikronezisë si ndër të vetmet vende në botë që e kanë bërë të obligueshëm vaksinimin.