Avokati i Veselit vazhdon deklaratën përmbyllëse në Hagë: Prokuroria po bazohet në thashetheme
Mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po vazhdon deklaratën përmbyllëse në gjykimin në Gjykatën Speciale në Hagë.
Rodney Dixon, avokat i Kadri Veselit, po vazhdon me deklaratën përmbyllëse, duke thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar po bazohen “thjesht në informacionet e dorës së dytë, thashetheme dhe dëshmi të pavërtetuara”.
Në dy ditët e para, prokurorë të Prokurorisë së Specializuar thanë deklaratën përmbyllëse të organit të akuzës. Deklaratën përmbyllëse e dha dje edhe Mbrojtësi i Viktimave. Nga dje, avokatët e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit nisën t’i jepnin deklaratat e tyre përmbyllëse.
Prokuroria e Specializuar ka kërkuar 45 vjet burgim për secilin prej ish-krerëve të UÇK-së.
Pasi të jepen të gjitha deklaratat përmbyllëse, që parashihet të kryhen deri më 18 shkurt, çështja do t’i kalojë trupit gjykues, që ka tre muaj kohë për shpalljen e një aktgjykimi.
Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi po qëndrojnë në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë prej fillimit të nëntorit të vitit 2020, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve./Periskopi



