Batatina nuk e fajëson veten por gjyqtarin për humbjen: Që nga fillimi u pa se gjyqtari dëshiron të na dëmtojë

Batatina nuk e fajëson veten por gjyqtarin për humbjen: Që nga fillimi u pa se gjyqtari dëshiron të na dëmtojë

Gjilani ka mposhtir Llapin me rezultat 2-1, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e shtatë në Superligën e Kosovës.

I revoltuar pas ndeshjes ka folur trajneri i Llapit, Tahir Batatina.

Tekniku llapjan ka pasur ankesa të mëdha në ndarjen e drejtësisë nga gjyqtari Malsor Ajeti.

“Nuk na ka mposhtur Gjilani, por gjyqtari Malsor Ajeti. Befasohem që gjyqtarët më të mirë në vend të jenë në VAR derisa gjyqtarët e rinj dhe pa përvojë të ndajnë drejtësinë në një derbi të tillë siç është Gjilani – Llapi”, tha Batatina.

 

“Që nga fillimi i ndeshjes u pa se gjyqtari kryesor dëshiron të na dëmtojë, duke mos ndalur disa faulle në të mirë tonën dhe duke ndëshkuar pa nevojë disa nga futbollistët tanë. Në këtë mënyrë e akordoi edhe penalltinë”.

“Ai ka pasur për qëllim ta dëmtojë Llapin, pasi thuajse non stop i ka thënë futbollistëve të mi mos folni se ju ndëshkojë”, tha Batatina.

Tutje trajneri i Llapit deklaroi se kanë luajtur më mirë se Gjilani në këtë sfidë.

“E kemi mposhtur me lojë dhe me gjithçka Gjilanin, por ne nuk mundemi të shtyhemi edhe me gjashtë gjyqtarë dhe një skuadër. Nuk na ka mposhtur Gjilani, por gjyqtari”, ka thënë i revoltuar Batatina.

“Nuk besoj më se një gjyqtar si Malsor Ajeti do ta gjykojë Llapin”, tha ndër të tjera tekniku llapjan.

“Nuk është aspak mirë të na dëmtojnë në këtë mënyrë. Dëshirojmë që ndeshjet tona t’i gjykojnë gjyqtarët me stema të UEFA-s, që edhe nëse gabojnë e dimë që nuk e bëjnë me qëllim”, tha Batatina.

Shpërndaje në: