BE miraton Konkluzat për Zgjerim – çka iu kërkua Kosovës?

BE miraton Konkluzat për Zgjerim – çka iu kërkua Kosovës?

Këshilli për Çështje të Përgjithshme i Bashkimit Evropian ka miratuar të martën konkluzionet sa i përket procesit të zgjerimit të bllokut evropian, ndërsa në pjesën për Kosovën, vendit i bëhet thirrje që ta përshpejtojë hapin në rrugën drejt reformave.

Ndër kërkesat tjera është zbatimi i marrëveshjeve të arritura me Serbinë, në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve, përfshirë nevojën e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova është e vetmja në Ballkanin Perëndimor që nuk e gëzon statusin e vendit kandidat për anëtarësim, ndonëse ka aplikuar në dhjetor të vitit 2022.

Në raportin me konkluza që e ka siguruar Radio Evropa e Lirë më herët gjatë 16 dhjetorit, përmendet se nevoja për reforma vërehet më së shumti në forcim të administratës publike dhe sundim të ligjit, përfshirë konsolidimin e sistemit gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e lirive themelore, sidomos lirinë e shprehjes, sektor në të cilin nuk është shënuar përparim.

Përparim thuhet të ketë pasur në luftën kundër krimit të organizuar.

Kosova lavdërohet për organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme të shkurtit dhe më pas ato lokale më vonë gjatë vitit, marrë parasysh pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve në to.

Lidhur me këtë, në konkluza përmendet që marrë parasysh transferimin e rregullt të pushtetit në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, Këshilli përsërit dhe pret heqjen e të gjitha masave ndëshkuese që kanë mbetur.

Bashkimi Evropian pati vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës në verën e vitit 2023, si pasojë e tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

Blloku evropian ka nisur heqjen graduale të tyre, por zyrtarët në Kosovë insistojnë se vazhdimi i tyre është vendim i padrejtë, meqë të gjitha kërkesat për heqjen e tyre tashmë janë plotësuar.

Në mesin e tyre situata në veri është shtensionuar, prania e Policisë afër objekteve komunale në veri është zvogëluar dhe kalimi paqësor i pushtetit në komunat me shumicë serbe është realizuar.

Rikard Jozwiak, redaktor për Evropën i Radios Evropa e Lirë (REL), në Pragë, ka marrë vesh nga burimet e tij se për çështjen e moslargimit të të gjitha masave kundër Kosovës është diskutuar në Bruksel javën e kaluar dhe që Franca e Italia janë mbështetëse të idesë që të largohen vetëm 50 për qind e tyre.

Por, duket se përparim në këtë drejtim nuk do të ketë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë.

Megjithatë, zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se është informuar nga drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, “ku komunikohet se Komisioni ka vendosur për heqjen e shumicës së masave ndaj Kosovës”.

Bislimi, që publikoi letrën e dërguar nga Koopman, tha se bëhet fjalë për projekte të lidhura me programet IPA, në vlerë prej 34.6 milionë euro.

“Në vazhdimësi kemi insistuar për heqjen e masave. Mirëpresim hapin e radhës nga ana e BE-së, i cili duhet të vijojë sa më parë me heqje të plotë të tyre. Nuk ka më asnjë arsye që një pjesë e tyre të mbeten në fuqi, sidomos pas transferimit të pushtetit në katër komunat në veri në mënyrë ligjore dhe të qetë”, shkroi ai në Facebook, duke mos përmendur ndonjë afat se kur mund të hiqen masat ndaj Kosovës. / Radio Evropa e Lirë /Periskopi/

Shpërndaje në: