BE: Serbia po shkel obligimet me kundërshtimin e anëtarësimit të Kosovës në Interpol
Bashkimi Evropian vlerëson se Serbia është duke i shkelur obligimet e saj nga procesi i normalizimit të raporteve me Kosovën dhe marrëveshjes nga dialogu, duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Interpol.
Këtë e ka thënë një zëdhënës i BE-së, duke reaguar në njoftimet nga Serbia se ministri i Brendshëm i këtij shteti, Ivica Daçiq, është lavdëruar se po vazhdon kundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë dhe se, sipas këtij ministri, “Kosova nuk ka kurrfarë gjasash që të bëhet pjesë e Interpolit”.
Daçiq po ashtu ka thënë se Kosova edhe më parë “ka dështuar keq kur ka provuar të bëhet anëtare e Interpolit” dhe se tash “e ka të qartë se nuk ka gjasa, prandaj as nuk po provon”.
Këtë, në përgjigjen e tij, e ka thënë për KOHËN përsëri një zëdhënës i BE-së, transmeton Periskopi.
“Progresi i Serbisë në rrugëtimin evropian varet nga përpjekjet për implementimin e plotë të obligimeve nga marrëveshja e vitit 2023 për rrugën drejt normalizimit. Duke kundërshtuar në parim anëtarësimin e Kosovës në Interpol, Serbia është në shkelje të obligimeve nga marrëveshja e Ohrit, neni 4 i marrëveshjes”, ka thënë ky zëdhënës.
“Sa i përket planit të rritjes, parakushtet e lidhura me progresin në normalizimin e raporteve mes Serbisë e Kosovës vlerësohen sa herë që të bëhen kërkesa për pagesa, në përputhje me rregulloren”, ka thënë për këtë zëdhënësi i BE-së.
Serbia ka marrë pagesën e parë nga paketa e rritjes në formën e “parafinancimit”. Kosova nuk ka përfituar akoma nga kjo, për shkak se nuk ka ratifikuar marrëveshjen për kredi me BE-në.



