BE thotë se ndërmjetësimi i Lajçakut s’është dështim, fajëson Kosovën e Serbinë që s’e mbajtën fjalën
Bashkimi Evropian (BE), thotë se emisari për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, e ka kryer punën ashtu si duhet dhe se angazhimi i tij në këtë çështje nuk mund të quhet dështim.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një deklaratë për media, tha se roli i tyre nuk është t’i detyrojnë palët të sillen si evropianë, por vetëm ta lehtësojnë një gjë të tillë. Ai u shpreh se faji është i Kosovës dhe i Serbisë pse nuk u arritën rezultatet e kërkuara dhe jo i BE-së.
Stano theksoi se Lajçak bëri më të mirën e mundshme dhe se e ka pasur përkrahjen e 27 vendeve të BE-së.
Sipas tij marrëveshja e Ohrit, nuk është dështim vetëm pse nuk është nënshkruar, derisa ripërsëriti qëndrimin e BE-së se ajo është ligjërisht obligative për të dyja vendet.
Stano theksoi se nëse nuk merren hapa të implementimit Kosova dhe Serbia i bëjnë dëm vetes dhe qytetarëve të tyre.
“Nuk është faktikisht korrekte të thuhet se ishte dështim, për faktin se dy palët nuk e kanë nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit. Me dhjetëra herë kemi sqaruar se nuk ka pasur pikëpyetje për nënshkrimin. Kjo marrëveshje është ligjërisht obligative, dhe nuk ka sqarim më të mirë të faktit se është ligjërisht obligative, pasi që është bërë pjesë integrale e rrugës drejtë anëtarësimit si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Kështu që nuk bëjnë hapa drejt implementimit, ata i bëjnë dëm vetes, të ardhmen evropiane dhe përfitimet që qytetarët e tyre do të mund t’i gëzonin”, tha ai.
“Kështu që ne do të vazhdojmë, BE-ja ka një mandat të përcaktuar ndërkombëtar, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së është lehtësuesi, pavarësisht nëse emri do të jetë Joseph Borrell, ose kushdo që do të vijë. Emisari Special, ende jemi me mandatin e tij që vazhdon dhe po vazhdon përpjekjet e tij, dhe nuk ka shembull më të mirë se si ai e kryen punën, pasi që po i kushton kohën dhe energjinë e tij në një numër takimesh, për të zgjidhur çështjen e fundit ( dinarin ) në vazhdimësinë e çështjeve të njëanshme që po e sjellin dialogun në menaxhim të vazhdueshëm të krizave”, tha ai.