Behgjet Pacolli: Kosova duhet të bëhet me qeveri funksionale sa më shpejt – Përpjekjet e Osmanit ende pa rezultat konkret, duhet qasje më aktive
Edhe pas 36 tentimeve, partitë politike nuk po munden me gjet pajtueshmëri për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Vetëvendosje po insiston për kryeparlamentar, Albulena Haxhiun, ndërsa partitë e tjera s’po e shohin figurë unifikuese. Kjo sipas këtyre të fundit për shkak të dështimeve që ka pasur në Ministrinë e Drejtësisë, e cila e udhëhoqi për katër vjet.
Për ngërçin politik në Kosovë dhe zhvillime të tjera ka folur për Periskopin, ish presidenti, njëherit kryetari i Aleancës për Kosova e Re, Behgjet Pacolli.
Pacolli e konsideron shqetësuese bllokadën, që sipas tij e dëmton imazhin e vendin tek ndërkombëtarët.
“Situata e bllokadës institucionale në Kosovë është shqetësuese. Më shumë se katër muaj pas zgjedhjeve dhe me 36 seanca të dështuara, qytetarët po përballen me një krizë legjitimiteti dhe mosfunksionimi institucional. Kjo dëmton jo vetëm besimin në procesin demokratik, por edhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës”, u shpreh ai për Periskopin.
Pacolli ka thënë se mungon vullneti politik tek partitë për të arritur një kompromis në mënyrë që të tejkalohet kjo situatë.
“Mosvotimi i kandidates së VV-së, Albulena Haxhiu, nuk mund të shihet thjesht si çështje emri. Më shumë duket se mungon vullneti politik për të gjetur një kompromis dhe për të ndërtuar konsensusin e nevojshëm. Shkaku kryesor mbetet polarizimi i skajshëm mes forcave politike dhe mungesa e dialogut të sinqertë për të dalë nga ngërçi”, ka thënë Pacolli.
E për këtë, Pacolli për Periskopin ka thënë që Presidentja duhet të jetë më aktive dhe t’I shfrytëzojë “mjetet” që i ka në dorë për ta zgjidhur këtë.
Megjithatë ai thotë se takimi i Osmanit me liderët e partive nuk pati asgjë konkrete.
“Roli i Presidentes Vjosa Osmani, ndonëse përpjekjet e saj për dialog janë për t’u vlerësuar, nuk ka prodhuar ende rezultat konkret. Ndoshta do të duhej një qasje më aktive dhe më gjithëpërfshirëse, duke shfrytëzuar të gjitha mjetet kushtetuese dhe diplomatike që ka në dispozicion”, u shpreh ish ministri në një intervistë për Periskopin.
Pacolli komentoi edhe paralajmërimet e Presidentit të SHBA’së, Donald Trump për Kosovën dhe Serbinë.
Ai thotë se përmendja e Kosovës nga Trump është e rëndësishmë. Por sipas tij nuk duhet të lihen pas dore raportet as me vendet e Bashkimit Evropian.
“Deklaratat e Donald Trump për dialogun Kosovë–Serbi janë për tu përdorur për një rifillim të ri të dialogut Kosove Serbi. Megjithëse shumë të rëndësishëme, por Kosova duhët të kultijojë mardhënje te mira me gjithë partenerët e saj, kudo qofshin ata e sidomos me BE”,u shpreh Pacolli për Periskopin.
Ai krejt në fund tha se Kosova duhet të ketë një qeveri funksionale sa më shpejt.
Sipas Pacollit, vonimi i krijimit të institucioneve e dëmtojnë zhvillimin e vendit.
“Kosovës i nevojitet një qeveri funksionale sa më parë. Pavarësisht nëse ajo drejtohet nga Albin Kurti apo nga një koalicion më i gjerë, më e rëndësishme është të ketë një mandat të qartë dhe legjitimitet të plotë për të adresuar sfidat e brendshme dhe ato ndërkombëtare. Vonesa të mëtejshme mund të dëmtojnë seriozisht zhvillimin politik dhe ekonomik të vendit”, ka thënë Pacolli për Periskopin.
Ndryshe seanca për konstituimin e legjislaturës së nëntë ka filluar më 15 prill. Deri tani janë kaluar vetëm dy pika të agjendës.
Ndërsa Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përsëritur në fillim të qershorit se vonesa në konstituim të Kuvendit dëmton kredibilitetin e institucioneve dhe përparimin e vendit drejt agjendës euroatlantike.
Edhe përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it [Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Italisë, Francës dhe Gjermanisë] si dhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, janë takuar javë më parë me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurtin, duke kërkuar formim të shpejtë të institucioneve, për të siguruar mirëqenien dhe prosperitetin e qytetarëve të Kosovës./Periskopi/



