Behrami i PDK`së: Synojmë koalicion me LDK`në, AAK`në e partitë tjera
Artan Behrami nga Partia Demokratike e Kosovës tha se subjekti politik ku ai bën pjesë është e bashkuar dhe mobilizuar si kurrë më parë për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Sa i përket çështjes së formimit të qeverisë, Behrami tha se preferencat e tyre janë për koalicion me partitë të cilat kanë “hise në çlirim, në liri, pavarësi dhe shtet ndërtimin e Kosovës”.
“Pra ne synojmë që së bashku me LDK-në, AAK-në dhe partitë e tjera shqiptare dhe të komunitetit jo serb ta krijojmë qeverinë e ardhshme pas 28 dhjetorit.”, tha ai.
Duke folur për vendimin e PZAP-së ku kundërshton, hapjen e votimeve jashtë qendrave, Behrami tha se rasti i Mitrovicës ka treguar se Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin është në gjendje që të keqpërdor mekanizmat shtetëror për të arritur një fitore.
“Prandaj frika , pasiguria, mosbesimi është shumë i thellë që edhe në këto zgjedhje nacionale Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti do të mundohen që të gjejnë mekanizma për të keqpërdor shtetin, për të keqpërdorur mekanizmat e shtetit të Republikës së Kosovës për të fabrikuar një fitore të mundshme. Prandaj për gjithë qytetarët e Kosovës, aktivistët e partive politike që të jenë shumë të vëmendshëm dhe të adresojnë çdo shqetësim , çdo parregullsi që mund të ndodh prej tani deri në përfundim dhe deri të numërimi i fundit i votës së fundit nga këto zgjedhje”, u shpreh ai.
Sa i përket postit të presidentit, Behrami për RTV21 tha se mbetet të shihet pas rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, transmeton Periskopi.
“Sepse rezultatit do të definoj të gjitha matematikat edhe të koalicioneve edhe të posteve të presidentit e kështu më radhë, por ne besojmë dhe jemi shpresë plot se PDK kësaj radhe do të jetë partia e parë dhe do të jetë parti fituese e cila do të dominojë skenën dhe do të dominojë matematikat e koalicioneve që mund të dalin nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.



