Bëhuni gati, testimi i tretë i qarkores pritet të jetë njëjavor në Prishtinë

Periskopi.com Lajme

Testimet që po bëhen nga Komuna e Prishtinës në qarkoren njëkahshe janë të mirëpritura nga disa qytetarët, të cilët thonë se do të duhej të bëheshin edhe më herët. Një pjesë e tyre thotë se qarkorja duhet të ndryshojë, pasi nuk është në rregull. Kurse, përfaqësues të komunës kanë thënë se kanë bërë ndryshime në testimin e dytë, si dhe kanë paralajmëruar testim një javor të qarkores.

Qarkorja sot mundësoi edhe zgjerimin e sheshit “Nënë Tereza”, deri te katedralja, duke ua mundësuar qytetarëve që të shëtisin dhe luajnë futboll dhe sporte tjera në atë pjesë.

Ilirik Musliu, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, testimin e dytë të qarkores njëkahëshe e cilëson si të suksesshme. Ai ka thënë që testimi i ardhshëm pritet të bëhet përgjatë një jave të plotë.

Musliu shtoi që trafiku pa pagesë ka ndihmuar në zhvillimin e testimit, pasi interesimi i qytetarëve për shfrytëzimin e autobusëve ka qenë i madh.

“Informatat të cilat i kemi marrë deri tash nga taskforca janë super të mira, gjithçka është duke rrjedhë normale…tash çfarë po diskutojmë është që testiminin e tretë ta bëjmë në ditë pune për arsye se nuk po mendojë që ka më logjikë që të testohet gjatë vikendit, pasi të gjitha informatat të cilat kemi pasur nevojë i kemi marrë, testimi i radhës mendoj të bëhet edhe më gjatë se dy ditë, po diskutohet të jetë komplet java prej ditës së hënë deri te premten gjatë javës së ardhshme së bashku me taskforcen do të koordinohemi dhe do të dalim me vendim,… rruga “Tirana”, është me e ngarkuar që është e logjikshme, duke pasur parasysh prej unazës qendrore, fluksi vazhdon në një krahë manual që i bije rruga “Tirana” me u ngarku…gjithashtu trafiku urban pa pagesë na ka ndihmuar, interesimi dhe shfrytëzimi i autobusëve është më i madh, andaj po mënojmë kur flota e re të vijë, që është prej 30 autobusëve të shfrytëzohet brenda unazës”, ka thënë ai.

Drejtori i Shërbime Publike theksoi se disa prej kyçjeve që kanë hasur në problem në testimin e parë i kanë eliminuar dhe sinkronizimin e semaforëve e kanë ndryshuar.

“Sinkronizimi i semaforëve ka ndryshuar, pjesa te Ramiz Sadiku e kemi blloku edhe një kyçje tjetër, pasi te testimi i parë që e kemi bërë, aty ka qenë problemi bllokada, prej Ministrisë së Drejtësisë i kemi bërë tri shtigje, ajo na ka ndihmuar shumë, edhe disa pjesë të këmbësorëve, i kemi eliminuar aty ku kanë qenë të shkurta me qëllim mos me pas bllokada në trafik”, theksoi Musliu.

Mustaf Halili, qytetar i Prishtinës është shprehur se ky eksperiment është duhur të bëhej shumë më herët. Ai theksoi se Prishtina do të lirohet kur të hy në funksione parkingu përball katedrales.

“Ky është një eksperiment i mirë, i cili është duhur të bëhej me herët…së pari duhet të bëhet testi sociologjik, a ka Prishtina aq banorë sa që nuk kanë vende në rrugët e tjera, a ka Prishtina aq pak vetura sa që duhet të “t’kurën aty dhe e treta kushtet paraprake teknike të cilat duhet t’i përmbush kryeqyteti për të rregulluar një punë të tillë, sidoqoftë unë e përgëzoj kryetarin për guximin…por fyti i Prishtinë do të lirohet kur të lëshohet ky parking përball katedrales”, tha Mustaf Halili

Ndërsa, Enver Beqiri ka thënë që unaza qarkore duhet të jetë më ndryshe për të pasur efekt pozitiv.

“Nuk është shumë në rregull si në vendet e tjera….shumë sene nuk janë në rregull, edhe unaza nuk është në rregull, duhet të jetë pak më ndryshe, e kush e ka bërë atë projekt ata e dini më së miri”, tha Beqiri. /KP/