Bie nga sistemi njësia B-2 në KEK
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala ka njoftuar se ka rënë njësia B2 në KEK. Sipas Shalës, mbi 250 MWh energji elektrike janë larguar nga sistemi pa asnjë paralajmërim, raporton Periskopi.
“Sot, më 18 Janar 2026, ka rënë njësia B2 në KEK dhe mbi 250 MWh energji elektrike janë larguar nga sistemi pa asnjë paralajmërim.
Kjo nuk është më një ngjarje e rastësishme, por pasojë e mirëmbajtjes së dobët, menaxhimit të dobët dhe mungesës së përgjegjësisë institucionale.
Çdo rënie e njësive krijon krizë në treg, aq më tepër kur kemi rënie të paplanifikuara, si kjo e sotmja, të cilat rrisin çmimet dhe u japin tregtarëve hapësirë të diktojnë kushtet, ndërsa qytetarët paguajnë pasojat. Institucionet heshtin, investimet nuk japin rezultat dhe siguria energjetike po dobësohet.
Pa reforma serioze dhe llogaridhënie, krizat do të vazhdojnë dhe çmimet e energjisë elektrike për konsumatorët, padyshim, do të rriten”, ka shkruar Shala.
Ndryshe, kjo njësi kishte probleme edhe gjatë vitit 2022. Si pasojë e mosprodhimit të rrymës nga njësia B2, Kosova kishte importuar 50 milionë euro më shumë energji elektrike.
Për kthimin në funksion të njësisë B2 të TC Kosova B ishin angazhuar ekspert gjerman në KEK dhe ishin ndarë 250 mijë euro./Periskopi/



