Bislimi intervistë n’Periskop: Marrëveshja arrihet veç nëse palët vihen para ‘take it, leave it’

Bislimi intervistë n’Periskop: Marrëveshja arrihet veç nëse palët vihen para ‘take it, leave it’

Ish deputeti i Kosovës dhe anëtari i Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Faton Bislimi në një intervistë për Periskopin ka dhënë opinionet dhe qëndrimet e tij lidhur me shumë zhvillime e çështje të rëndësishme për vendin.

Bislimi ka theksuar rëndësinë e dëgjueshmërisë së Qeverisë Kurti ndaj aleatëve ndërkombëtarë, duke shtuar se Amerika është njëfarë hisedare e shtetit tonë.

Ai tutje ka folur edhe për Asociacionin, që duhet të formohet sipas Kushtetutës së vendit dhe asesi të lejohet autoritet ekzekutiv i Serbisë në Kosovë. Ndërsa për marrëveshjen Kosovë- Serbi, mendon se mund ta kemi veç nëse palët vihen para aktit të kryer, në formën “take it, leave it” (merre ose leje).

Për imazhin e shtetit të Kosovës ndërkombëtarisht, Bislimi mendon se duhet të jemi një dhe se politika  jashtme duhet të jetë syçelë e proaktive.

 

Intervista e plotë:

 Periskopi: Qeveria Kurti ishte këmbëngulëse që të mos shtyhet afati i targave. Në fakt, e shkallëzoi atë. Amerika dhe BE u shprehën të zhgënjyera.  A mund të ketë pasoja padëgjueshmëria ndaj aleatëve?

Faton Bislimi: SHBA-të janë shprehur shumë qartë në lidhje me këtë çështje. Mesazhi ka qenë direkt dhe miqësor, ngase SHBA-të por edhe BE nuk kanë hezituar të njohin të drejtën e Kosovës për të vepruar për të zbatuar ligjin kudo në Kosovë dhe ndaj kujtdo, por në të njejtën kohë, me mirësi kanë kërkuar mirëkuptimin e Kosovës për të shtyer këtë proces implementimi për një periudhë 10 mujore. Nuk kam dyshim se kjo kërkesë vije e bazuar në arsyeshmërinë përkatëse. Andaj, ajo që mund të them është se Kosova është dashur dhe ende duhet të gjejë modalitetin përkatës që të zbatojë sundimin e ligjit duke marrë parasysh kërkesën specifike të SHBA-ve. Neve duhet të shohim dhe vlerësojmë rezultatet e një veprimi politik apo ligjor më shumë sesa datën e atij veprimi. Marrëdhënia jonë me SHBA-të është unike dhe duhet sforcuar tutje. Ajo nuk bënë të lëndohet në asnjë rrethanë. Fundja, pa SHBA-të vështirë se do kishim qoftë lirinë e aq më pak pavarësinë e Kosovës. Ata thuajSE janë hisedarë të shtetësisë sonë dhe partner që nuk ka hezituar asnjëherë të na dalë në krah, e veçanërisht në ditët më të vështira gjatë fundviteve 1990. E jonja është që të bëjmë gjithëçka që është e nevojshme për të qenë në një linjë me SHBA-të sepse vetëm atëherë jemi të garantuar se s’do humbasim.

Periskopi: Përpos targave, ka edhe çështje të tjera që ka kundërshtuar Kurti, si Marrëveshja e Washingtonit, vendimi per Manastirin e Deçanit,  referendumi serb etj. Amerika bën thirrje që të krijohet edhe Asociacioni. Si e shihni këtë rezistencë të Kurtit veçanërisht?

Faton Bislimi: Po, sa i përket Marrëveshje së Washingtonit të shtatorit 2020, ajo është përqafuar në plotni edhe nga Administrata e Presidentit Biden dhe për këtë është shprehur direkt Sekretari i Shetit, Blinken. Tek çështja e Asociacionit, SHBA-të kanë qenë shumë të kjarta në lidhje me të. Edhe prononcimet e fundit të z. Escobar tregojnë fare mirë se SHBA-të nuk përkrahin asnjë lloj asociacioni që cënon sovranittin e Kosovës apo unitaritetin e shtetit. Pra, janë kundër cfarëdo asociacioni me të drejta ekzekutive apo që krijon një nivel të tretë qeverisës në Kosovë pos atij lokal e qëndror. Kjo nënkupton dhe është thënë në mënyrë të drejtëpërdrejtë edhe nga SHBA-të që asociacioni nuk mund të jetë në kundërshitm me kushtetutën e Kosovës apo ligjet në fuqi.

Normalisht se askush në Kosovë nuk e përkrahë një asociacion siç e kërkojnë serbët. Mendoj se Qeveria e Kosovës, dhe partia në pushtet, duhet të shohin çështjen e asociacionit nga perspektiva e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë, dhe përtej kësaj edhe nga perspektiva e reciprocitetit me shqiptarët në Luginën e Preshevës. Beogradi para faktorit ndërkombëtar e paraqet asociacionin si një lloj mekanizmi “shpëtues”per serbët lokalë të Kosovës dhe për avancimin e sigurimin e të drejtave të tyre. Njëkohësisht, po ky Beograd sot e kësaj dite vazhdon të diskriminojë në mënyrën më të vrazhdë shqiptarët etnikë në Luginë. Është koha që Lugina të bëhet pjesë e diskurit politik karshi Serbisë edhe sa i përket asociacionit.

Është obligim kombëtar i elitës sonë politike, qeverisë e opozitës, që marrëdhëniet me SHBA-të t’i trajtojnë në mënyrë ndjeshme, specifike, dhe pa asnjë kalkulim tjetër politik pos interesin tonë kombëtar si shtet. Vetëm në këtë mënyrë e ndihmojmë kauzën kombëtare dhe e çojmë tutje zhvillimin e Kosovës.

Periskopi: A mendoni se shpejt do ketë një marrëveshje paraprake Kosovë-Serbi, dhe me Asociacion brenda saj, duke qenë se tashmë ekziston edhe një plan franko-gjerman?

Faton Bislimi: Kjo është çështja, realisht. Qëndrimet diametralisht të kundërta në mes Kosovës dhe Serbisë që nuk lejojnë arritjen e një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse janë pikërisht këto dy tema: asociacioni që Beogradi e kërkon me ngulm dhe sipas qejfit të vet e që Kosova s’mund ta pranojë, dhe njohja reciproke që Prishtina e kërkon me ngulm, e që Beogradi s’mund ta pranojë. Por, diferenca pozitive për Kosovën këtu qëndron në faktin se tek asociacioni kemi mbështetjen ndërkombëtare, veçanerisht të SHBA-ve, për të mos e pranuar ashtu siç e don Beogradi, dhe njejtë tek njohja reciproke, Kosova e ka përkrahjen e SHBA-ve te parezervë. Marrëveshja mund të arrihet vetëm nëse palet vihen para aktit të kryer – në formën “take it leave it” (merre ose leje). Fundja, secila marrëveshje ndërkombëtare përkitazi me Kosovën në fund ka ardhë ky lloj përfundimi – edhe Rambuje edhe Ahtisaari. Kosova i ka pranuar të dyja ,e Serbia asnjërën – Kosova ka fituar lirinë e pavarësinë, bashkë me përkrahjen e botës demokratike në krye me SHBA-të.

 Periskopi: Si e vlerësoni qeverisjen e Vetëvendosjes që nga ardhja në pushtet. Po politikën e jashtme të Kosovës. A po punohet sa duhet për njohje dhe imazh?

Faton Bislimi: Njëri nga Presidentët më të njohur amerikanë, John F. Kennedy, ka thënë “Politika e jashtme mund të të lë pa shtet, kurse politika e brendëshme vetëm pa pushtet.” Andaj, politika e jashtme e Kosovës duhet të jetë shumë syçelë dhe proaktive. Jam i vetëdijshëm që ky dikaster qeveritar është përbuzur nga secila qeverisje në vend dhe ka shërbyer, fatkqesisht, si një lloj enti i punësimit partiak. Por, duhet cekur po ashtu se në shërbimin tonë të jashtëm ka djemë e vajza të shkëlqyeshme anipse të paktë në numër. Politika jonë e jashtme duhet të jetë shumë më proaktive dhe më vibrante.

Nuk e kemi komoditetin të merremi me njëri tjetrin në arenën ndërkombëtare. Jashtë Kosovës, ne jemi një – një shtet, një republikë, një komb. Askujt jashtë Kosovës nuk i intereson pas ideologjia e as preferencat apo përkatësitë tona politke. Jashtë Kosovës, vendeve e organizatave tjera ndërkombëtare u intereson Kosova dhe qëndrimet e saja si shtet. Andaj, edhe duhet të sillemi si të tillë.

Por, fatmirësisht, imazhi ynë në botë është ndërtuar kryesisht nga diaspora jonë dhe veçanërisht nga lobi ynë në SHBA, respektivisht Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane nën udhëheqjen e Joe DioGuardit e Shirley Cloyes DioGuardit, që për mbi tridhjetedy vite rresht punon pa u ndalur për të mirën e kombit shiqptar në përgjithësi dhe Kosovës në veçanti. Roli i lobit tonë në Washington, DC ka qenë krucial dhe mbetet vendimtar për lirinë e pavarësinë e Kosovës, përmes sigurimit të përkrahjes së parezervë amerikane.

Periskopi: Ju i patët nisur një letër kongresistëve amerikanë që i shkruan Bidenit rreth Serbisë. A patët marrë ndonjë përgjigje apo reagim?

Faton Bislimi: Po, gjithësesi. Përgjigje kam marrë thuajse nga të gjithë, dhe me disa e kemi vazhduar komunikimin dhe ata mandej të paktën pesë nga ta, në një letër të rradhës u bënë nënshkrues ku Serbia qortohej për lidhjet me Rusinë. Ne duhet ta kuptojmë që fuqia më e madhe e vendimmarrjes në SHBA është në Kongresin e SHBA-ve. Beteja për Kosovën është fituar pikërisht në Kongresin e SHBA-ve nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, ngase aty janë thyer shtizat dhe është vënë në binarët e duhur dhe të drejtë politika e jashtme amerikane që në fund të viteve 1980ta ishte totalisht pro-jugosllave.

Edhe sot, ne jemi shumë me fat që në anën tonë dhe si mik të palëkundur kemi Senatorin Bob Menendez, Kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit të SHBA-ve. Për të kuptuar relevancën që Senatori Menendez ka, duhet të rikujtojmë se pikërisht në këtë pozitë ishte Joe Biden kur u bë përkrahës i kauzës së Kosovës për liri e pavarësi dhe kur ne krijuam lidhje të afërta me të dhe me stafin e tij, siç ishte asokohe Antony Blinken, përgjegjës për politikë të jashtme në zyrën e asokohe Senatorit Biden, e i cili sot është Sekretar Shteti.

Intervistoi: Kaltërina Misini

 

 

 

 

Shpërndaje në: