Blerim Shala, Veton Surroi dhe Bernard Nikaj pjesë e ekipit të Kurtit në negociatat me Serbinë

Blerim Shala, Veton Surroi dhe Bernard Nikaj pjesë e ekipit të Kurtit në negociatat me Serbinë

Burime të besueshme të Periskopit nga Qeveria, kanë konfirmuar se Blerim Shala, Veton Surroi dhe Bernard Nikaj, do të jenë pjesë e ekipit të kryeministrit Albin Kurti në negociatat me Serbinë. Burimet e Periskopit kanë thënë se pjesë e ekipit do të jetë edhe Edita Tahiri, mirëpo një gjë e tillë nuk është konfirmuar…

Ditë më parë u raportua në media se Blerim Shala dhe Veton Surroi janë ftuar nga kryeministri Albin Kurti që të jenë pjesë e ekipit negociator me Serbinë, shkruan Periskopi.

Por këtij ekipi, sipas burimeve të Periskopit do t’i bashkohet edhe Bernard Nikaj, ish-ambasador i Kosovës në Bruksel. Po ashtu, burimet thonë se edhe znj. Edita Tahiri do të jetë pjesë e ekipit të Kurtit, por ky informacion nuk është i konfirmuar.

Kujtojmë që Vetëvendosje kishte bërë fushatë agresive politike për vite me radhë kundër Tahirit, derisa ajo udhëhiqte ekipin e Kosovës në dialogun teknik.

Periskopi e ka pyetur dje (të martën) zotin Blerim Shala lidhur me këtë çështje dhe i njëjti nuk e ka mohuar e as pohuar një gjë të tillë, por ka thënë shkurtimisht për Periskopin se ‘nuk ka përgjigje’.

Veton Surroi është gazetar dhe publicist i njohur që në të kaluarën kishte edhe partinë e tij politike [ORA] por me të cilën nuk kishte treguar sukses të madh. Ai ka qenë pjesë e ekipeve negociatore të mëparshme që ishin konsideruar si shumë të dëmbshme nga Kurti dhe militantët e tij.

Blerim Shala është një tjetër analist dhe publicist i njohur por i kontestuar nga Vetëvendosje. Ai ka qenë pjesë e disa partive politike si AAK, e së fundi edhe e PDK-së. Z .Shala ka qenë pjesë e ekipit negociator të ish – presidentit Hashim Thaçi. Shala ishte emërur nga ish-Presidentja Atifete Jahjaga në këtë pozitë.

Bernard Nikaj, ka qenë ambasador i Kosovës në Bruksel. Z. Nikaj ka qenë ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë nga radhët e partisë së Behgjet Pacollit, AKR-së.

Edita Tahiri, është një prej negociatoreve më të shquara në dialogun me Serbinë. Ajo njihet për fillimin e dialogut i cili njihej si ‘dialog teknik’, ku përballej me Borisllav Stefanoviqin e Serbisë në Bruksel. Znj. Tahiri poashtu ka qenë ministre për Dialog në qeverinë e Isa Mustafës.

Kujtojmë se kryeministri Albin Kurti ndodhet në Bruksel për të diskutuar rreth dialogut me Serbinë. Kryeministri nuk ka dhënë ndonjë informacion para nisjes së tij në Bruksel, me gjithë insistimin e gazetarëve se çka do të diskutojë me diplomatët evropianë e ndoshta edhe me Aleksandër Vuçiqin atje.

Partia e kryeministrit, Vetëvendosja, në vazhdimësi po bën thirrje për ‘unitet të skenës politike në Kosovë’ megjithëse në të kaluarën ishte forca kryesore që pamundësonte unitetin politik.

Megjithëse kryeministri Kurti pati deklaruar se ‘dialogu nuk është prioritet i parë’ e ‘as i dytë’, kjo vizitë e tij në Bruksel ka rikthyer debatin e dialogut me Serbinë, si kryeprioritet.

Vizita e ministrit të jashtëm gjerman, z.Heiko Maas, e konfirmoi këtë e edhe më shumë deklarata e tij kundërshtuese ndaj qëndrimeve të Presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti se ‘dialogu duhet të rishikohet e pastaj të rifillojë’.

Z.Maas në konferencën para mediave serbe, deklaroi se ‘dialogu nuk ka nevojë të rishikohet”, por ‘vetëm të vazhdojë”./Periskopi/

 

 

 

Shpërndaje në: