Boksieri Shala reagon pas humbjes së rëndë nga kroati Milas
Boksieri kosovar, Granit Shala, e ka pësuar humbjen e dytë në karrierë. Por disfata e së shtunës mbrëma në Oberhausen të Gjermanisë ishte goxha e rëndë. Ai pësoi me ndërprerje në raundin e dhjetë nga kroati Petar Milas.
Fillimisht Milasi e rrëzoi Shalën, që megjithatë u ngrit dhe vazhdoi meçin. Pasoi një seri e goditjeve të forta të kroatit dhe dukej që Shala mezi qëndronte në këmbë. Madje Milas bëri me dorë nga gjyqtari që ta ndërpriste meçin. Por gjyqtari nuk reagoi. Kroati i bëri edhe dy goditje dhe Shala u rrëzua për herë të dytë. Derisa gjyqtari po numëronte dhe Shala mezi po ngritej, trajneri i kosovarit e hodhi peshqirin në shenjë dorëzimi të meçit. Në fakt dukej që Shala e kishte të pamundur të vazhdonte më.
Meçi, i planifikuar në dhjetë raunde, ishte i vlefshëm për titullin “IBF International”. Titullin e fitoi kroati Milas.
Sipas raportimeve, Shala ishte në epërsi në pikë para raundit të dhjetë. Në aspektin taktik ai u vlerësua se boksoi mirë, por fizikisht përparësia ishte e kroatit.
29-vjeçari Shala ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale. Ka thënë se është mirë.
“Përshëndetje për të gjithë. Dua t’iu njoftoj se jam mirë, falë Zotit. Nuk ishte e thënë të ndodhte kështu, por unë jam luftëtar dhe udhëtimi im do të vazhdojë. Kjo është lufta në kategorinë e rëndë – një goditje mund të ndryshojë gjithçka. Fatkeqësisht. Faleminderit për fjalët e mira”, ka shkruar Granit Shala.
Ai tani ka 18 fitore e dy humbje në karrierë. Shtatë prej fitoreve i ka me ndërprerje, njëjtë si dy humbjet. “Boxen1” e ka vlerësuar si të mirë luftën e Shalës, por ka kritikuar vendimin e gjyqtarit për ta vazhduar meçin pas goditjeve të kroatit.
Karriera e Shalës vlerësohet interesante edhe për faktin se ishte mbipeshë që nga fëmijëria. Ka hequr plot 50 kilogramë dhe vlerësohet me potencial për suksese në kategorinë e rëndë. Por humbja e së shtunës do t’ia zgjatë rrugën drejt titujve./Periskopi/



