Çështja e presidentit futet në 10 ditët e fundit, opozita kërkon kandidat unifikues

Çështja e presidentit futet në 10 ditët e fundit, opozita kërkon kandidat unifikues

Kanë mbetur edhe 10 ditë afat për zgjedhjen e presidentit të ri, ndërsa partitë politike ende nuk kanë arritur marrëveshje. Analisti Artan Muhaxhiri ka paralajmëruar se zgjedhjet e parakohshme mbeten opsion real, nëse nuk sigurohet konsensus. Në opozitë kërkojnë kandidat unifikues

Edhe dhjetë ditë afat kanë mbetur për zgjedhjen e presidentit të ri e diskutimet për kandidatin nuk kanë nisur ende zyrtarisht mes përfaqësuesve të partive politike.

Partitë opozitare janë shprehur të gatshme për bisedime por të gjitha kanë kërkuar kandidat unifikues.

Analisti politik Artan Muhaxhiri ka thënë se opozita nuk bën të dorëzohet para imponimeve të kryeministrit Albin Kurti, për zgjedhjen e presidentit.

Ai ka theksuar se edhe mundësia për zgjedhje të reja është e madhe.

“Por, opozita nuk guxon që ta humb dinjitetin dhe të dorëzohet para imponimeve të zotëri Kurtit dhe Vetëvendosjes, në mënyrë automatike, nga një lloj frike sepse kështu do të ishte më e disfavorizuar edhe në të ardhmen edhe më nuk do të kishte të ankohej kur kandidatura e zotëri Kurtit për president do të ndërmerrte veprime politike që do t’i shkonin atij për favor. Pra zgjedhjet e reja janë një opsion real, janë një mundësi”, ka thënë Muhaxhiri.

Deputeti i Partisë Demokratike, Artan Behrami, ka thënë që kriteri që duhet të plotësoj presidenti ri është “të ketë rol unifikues”.

Tek ka theksuar se në çdo takim për këtë çështje, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, do të marrë pjesë.

“Ne kërkojmë dialog, kompromis ndërpartiak, për të gjetur një figurë për president ose presidente, i cili ose e cila e respekton kushtin kryesor që është në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që përfaqëson unitetin qytetar të Republikës së Kosovës. Deri më sot nuk kemi dëgjuar nga partitë politike që kanë bërë propozime. Unë besoj që jemi në fund edhe të afatit, shumë shpejt partitë do të mblidhen edhe do t’i shqyrtojnë të gjitha propozimet që vijnë nga ta”, ka thënë deputeti Behrami.

Edhe për Lidhjen Demokratike zgjedhja e presidentit të ri duhet të jetë derivat i konsensusit.

Deputeti i kësaj partie, Armend Zemaj është shprehur se LDK-ja ka emra që do i dilnin zot kësaj pozite.

“Negociatat iu takojnë subjekteve politike ose hapja e një teme që se si do të zgjidhet se di do të mbarë shkoj dhe a do ta ketë konsensusin e një emri që propozohet dhe të bëhet sipas Kushtetutës. Nuk është diskutuar se a do të kemi kandidat por ajo që është e ditur është që kemi potencial, gjithmonë kemi pasur potencial që të kemi njerëz që janë shembull në udhëheqje”, ka thënë ai.

Edhe Albana Bytyqi, deputete nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka theksuar rolin unifikues si kriter për presidentin e ri.

“Pavarësisht punës që e ka bërë presidentja Osmani që na ka përfaqësuar si grua në mënyrë të mirë. Mirëpo, do të doja të jetë një kandidat që do të jetë një president unifikues. Ne e dimë të gjithë, jo vetëm unë por të gjitha partitë, e gjithë Kosova që presidentja Osmani ka qenë e njëanshme”, ka deklaruar ajo.

Mirëpo, analisti politik Artan Muhaxhiri ka thënë se kushtet e opozitës për përkrahjen e një kandidature që do të vinte nga Vetëvendosja duhet të jenë shumë më specifike sesa “emër unifikues”.

“Opozita mund të kushtëzoj me kandidaturat për gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese, mund të kushtëzoj me qëndrime të Kosovës në raportet ndërkombëtare edhe me dialog edhe me Bordin e Paqes edhe me shumë elemente që do ta avanconin Kosovën veçanërisht në rrugën evropiane, po ashtu edhe me ndonjë projekt të madh brenda Kosovës”, ka thënë Muhaxhiri.

Vjosa Osmani ka shprehur synimin që të marrë edhe një mandat si presidente, raporton Koha.net, transmeton Periskopi.

Vetëvendosja si partia më e madhe në Kuvend, nuk do të mund ta zgjedhë presidentin pa marrëveshje me opozitën, meqë në dy raundet e para të votimit kërkohet kuorumi prej së paku 80 deputetësh, gjë që nuk i ka.

Kurti ka thënë se është i gatshëm të flasë me subjektet e tjera, qoftë për ta rizgjedhur Osmanin, qoftë për kandidat tjetër konsensual.

Sipas Kushtetutës, zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.

Osmani është zgjedhur presidente më 4 prill 2021, ndërsa detyrën e mori një ditë më pas. Dështimi për ta zgjedhur kreun e shtetit imponon zgjedhje të parakohshme./Periskopi

Shpërndaje në: