Çfarë thonë dy ish-presidentët e Kosovës pasi u përmendën në dosjen Epstein

Çfarë thonë dy ish-presidentët e Kosovës pasi u përmendën në dosjen Epstein

Në dokumentet e radhës të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë të SHBA-së për Jeffrey Epstein, përmenden edhe dy ish-presidentë të Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Behgjet Pacolli. Por të dy e kanë mohuar ta kenë njohur ose takuar Epsteinin. Dy ish-presidentë të Kosovës përmenden në dosjet e fundit të publikuara të financierit të ndjerë amerikan Jeffrey Epstein, i cili ishte dënuar për përfshirje në trafikim dhe abuzim seksual të vajzave të mitura.

Departamenti i Drejtësisë në qeverinë e Shteteve të Bashkuara në fund të janarit publikoi mbi 3 milionë dokumente të Epstein, e në to përmenden edhe ish-presidentët Atifete Jahjaga dhe Behgjet Pacolli.

Në një e-mail të dërguar në adresën e Epsteinit, nga Daniel Siad – emër që përmendet shpesh në korrespodencat e tij, përmendet presidenti i Kosovës.

“Princesha nga Tajlanda do të jetë në New York te Kombet e Bashkuara me Presidenten e Kosovës, ajo do të dëshironte të të takonte”, thuhet në e-mailin e nisur në adresë të Epsteinit.

Ky e-mail mban datën 16 shtator 2012. Atë kohë postin e presidentit e mbante Jahjaga.

Valentina Abazi, këshilltare e Jahjagës është përgjigjur në emër të ish-presidentes dhe ka mohuar të ketë pasur takim mes Epsteinit dhe Jahjagës.

“Presidentja Jahjaga asnjëherë nuk e ka takuar, kurrë nuk ka kërkuar takim me të dhe as nuk e ka ditur kush është”, ka thënë Abazi për Kohën.

Dosja Epstein, çfarë thuhet për ish-presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga?

Një e-mail tjetër i dërguar nga Daniel Siad në adresë të Epsteinit mban titullin “Kush është Behgjet Pacolli?”, e në të është i bashkëngjitur edhe një link i një videoje në Youtube, i cili tani nuk hapet.

Në këtë e-mail shkruan “Përshëndetje Jeffrey, princesha do të donte që ti ta shihje këtë video”.

Princesha e përmendur në këtë korrespodencë është Mom Luand Rajadarsri Jayankura, anëtare e familjes mbretërore të Tajlandës, e cila shpesh në e-maile dhe korrespodenca të tjera me Epsteinin, prezantohet si Konsullja e Nderit e Republikës së Kosovës në Tajlandë.

Koha e ka pyetur edhe Pacollin se a e ka njohur Epsteinin, a është takuar me të dhe a ka vizituar ndonjëherë ishullin e tij.

Por Pacolli ka mohuar të ketë dëgjuar për të.

“Asnjëherë nuk jam takuar, as nuk kam komunikuar, as nuk kam qenë asnjëherë në pronat e tij. Unë vetëm tani (kur përflitet për të v.j.) dëgjoj për ekzistencën e tij”, ka thënë Pacolli./Periskopi

Dosja Epstein/ Pas Atifete Jahjagës, përmendet edhe Behxhet Pacolli në e-mail

Shpërndaje në: