Çitaku e mbante sekret Pavarësinë: Sa kam qesh, aq kam qarë para 11 viteve

Çitaku e mbante sekret Pavarësinë: Sa kam qesh, aq kam qarë para 11 viteve

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku ka përkujtuar ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, 17 shkurt 2008.

Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se secilit i kujtohet ajo ditë, në të cilën bënte acar i madh, por që megjithatë ishte edhe dita më e nxehtë e një shekulli të tërë.

 

Më poshtë postimi i Çitakut:

11 vjet Shtet

Ishte ftohtë ato ditë shkurti – dhe une kisha një sekret.

Me kujtohet si sot ajo dita e ftohtë e shkurtit. Secilit prej neve i kujtohet. Bënte acar i madh por tensioni ndihej në atmosferë që disa ditë më parë. Unë isha edhe më e tendosur sepse e dija një sekret që nuk mund ta ndaja me askend. As me familjarët më të afërt. Isha duke udhëhequr një pjesë të proceseve që ndërlidheshin me shpalljen e Pavarësisë – por askush nuk duhej të dinte se cilat ishin këto procese.

Duhej pregaditur konferenca për shtyp për media botërore, por askush nuk duhej ditur se për cka po ftohet konferenca. Duhej bërë pregaditjet e sigurisë por as policët nuk e dinin se cka do të siguronin dhe kur do të siguronin.

E kisha një sekret të madh në zemrën time, dhe nganjëhere qeshja me vehte dhe me lajmin që ma nxente zemrën. Obeliski NeëBorn pregaditej por nuk duhej ditë se kur do lindnim “foshnjën”.

Kishim shumë arsye për tu gëzuar dhe shumë arsye edhe për t’u pregaditur për më të keqën. Serbia sundohej nga nja nacionalist me agjendë të fëlliqur. Paralajmërohej dhuna, ndalja e rrymës. Agresioni verbal kishte arritur majat. Megjithatë, dihej se ne nuk do ta shtyjmë më procesin pasi që cdo rrugë e negociatave të Vjenës dhe vizitave të Trojkës Ishinger, Ëisner dhe Borcan Harcenko, ishte shpenzuar. Debatet e pafundëta në OKB ishin shterrur. Armiqt e pavarësisë nuk kishin se kah t’ia mbanin më. Ahtisaari e kishte propozuar një kompromis të përkryer. Pavarësi do të ketë! – tha Presidenti i Urtë Ahtisaari – por do të jetë e mbikqyrur deri sa të dëshmojmë se minoritetet dhe e tërë shoqëria do të ketë jetë më të mirë dhe më shumë fuqi për shkak të krijimit të shtetit, e jo më pak.

Si deputete e dija se do të jemë në mesin e përfaqësuesve të popullit (e jo të IPVQ!) që do ta shpallin Pavarësinë. Do ta kompletojmë shtetësinë e kombit. Edhe Deklaratën e Pavarësisë duhej shkruar në sekret, me një bukurshkrim që shihet se kah fundi i fjalive po ngutet, sepse tërë popullit të Kosovë po i ngutej. Nuk duronin më asnjë të vetmin minut të shtyhej ajo që është ndjekur rrumbullak një shekull. Që nga ndarja e Perandorisë Osmane, që nga koha e Isa Boletinit, nga koha e stërgjyshës sime Shote Galica, nga koha e Shaban Polluzhës por edhe partizanëve që luftuan nazizmin por u gënjyen nga Partia Komuniste. Nga koha e themelimit të Universitetit të Prishtinës, disidentizmit, burgosjeve dhe shpresave të rrejshme. Nga koha e viteve të mija si pjesëtare e “gjenerates së Republikës” që mbetëm pa shkolla, të helmuar dhe të injoruar nga Europa. Nuk duronim as edhe një minut, që nga koha kur rezistenca jonë me armë, ushtarët të cilët i përcillja hap për hapi si një përkthyese e gazetave më të mëdha botërore, u ballafaqua me gjenocid ndaj civilëve nga okupatori shekullor.

Ishte ftohtë ajo ditë shkurti, më ftohtë se kurrë. Por unë e kisha sekretin në zemër dhe ai më nxente shpirtin.

Të ju them të drejtën sa kam qeshë, aq edhe kam qajtë atë ditë, mu për shkak të jetës që jetuam, sakrificës së nënës dhe babait tim, sakrificës së shokëve dhe shoqeve. Sakrificës së më të njomëve dhe më të moshuarve.

Këto janë ndjenjat që i rikujtoj sot, 11 vite më pas. Me gjasë ngrohja globale dhe ndryshimet klimatike po na bëjnë shkurtin më të nxehtë dhe të paborë, por ndjenjat më rigufojnë kur kujtoj se si u bëmë shtet dhe sa shtrenjtë e paguam të drejtën për shtet. Një shekull dhimbje. Por e dini si thonë në filma – no pain no gain. Dhe ne fituam shumë, më shumë se shumë e shumë popujtë shkelur dhe nëpërkëmbur. Fituam jo vetëm Deklaratën e Pavarësisë, por Deklaratën e njohën demokracitë më të mëdha të botës. E njohu në një shkolë fillore me hartë të re, Sarkozy i Francës së Revolucionit që solli të drejtat e njeriut si koncept fundamental. Na njohu Italia e Renesansës humaniste që e vuri njeriun në qendër të universit. Na njohu Gjermania, shembulli global i rilindjës pas pendimit për katrahurën e Luftës Dytë Botërore. Na njohu Mbretëria e Bashkuar.

Dhe na njohu Amerika. Ajo të cilës gjithmonë do t’i jemi falë. Çdo 17 shkurt. Para disa viteve, një diplomat amerikan më rrëfeu se nuk ishte vetëm Hashim Thaci që duhej bindur që të shtyhej shpallja e pavarësisë për ca muaj nga fundi i vitit 2007 në 2008. Rezistenca e tij ishte e madhe, por e njejtë me gjasë ishte edhe e Presidentit Bush, i cili u thonte diplomatëve të tij se “i kam premtuar një populli pavarësinë, dhe pavarësine do t’ua bëj”.

11 Vite më pas, shumë gjëra edhe mund të ishin më mirë. Pritjet e njerëzve se do të bëheshim Zvicër, shpresat se cdo gjë do të përmirsohej, se do të kemi punë dhe para, u thyen me hallet e tranzicionit, po të njejtat që thyen shumëkë në tërë Europën Lindore pas rënies së komunizmit. Fatkeqësisht dhe jo rrallëherë edhe kriminalisht, jo të gjithë patën mundësi të barabarta të zhvillimit në shtetin tonë. Solidariteti, dashuria e madhe, qeshja që e patëm të gjithë ndaj njëri tjetrit, nuk mbeti e përhershme.

E megjithatë, urrejtja nuk duhet zënë vendin e dashurisë. Pavarësia është finale, dhe asnjëherë nuk do të kthehet në pikëpyetje. Më vjen keq kur disa ende dyshojnë në te. Kur ende e mohojnë. Kur e përdhosin flamurin tonë. Por për ta sot nuk do të shkruaj.

Ishte ftohtë më 17 shkurt 2008. Por ishte edhe dita më e nxehtë e një shekulli të tërë.

 

Shpërndaje në: