Çitaku e quan pamflet propagandistik punimin e Dimal Bashës kundër UÇK-së: S’jam e befasuar, e kanë traditë
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe deputetja e Kuvendit, Vlora Çitaku, në emisionin “Real Talk me Maxhunin” e ka quajtur pamflet punimin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Nuk e kam parë atë pamflet. Ndonjëherë po i referohen si punim shkencor, por lidhje me punim shkencor nuk ka. Ishte një pamflet propagandistik dhe unë si ambasadore, posaçërisht gjatë seancave të Këshillit të Sigurimit, fjalime të tilla kam dëgjuar nga përfaqësuesit rusë e serbë, apo ndonjë armik i madh i Kosovës. Fatkeqësia është që unë nuk jam ndjerë e befasuar aspak, sepse deklarata ndoshta jo identike, por të njëjta në përmbajtje, kundër Ushtrisë Çlirimtare (UÇK) të Kosovës kemi dëgjuar në vazhdimësi edhe nga Albin Kurti, Donika Gërvalla, por edhe nga eksponentë të lartë të Qeverisë dhe Lëvizjes Vetëvendosje”, tha ajo.
Çitaku tha se Vetëvendosje ka urrejtje patologjike ndaj bartësve të luftës së UÇK-së dhe se kjo është në traditën e tyre politike.
“Fatkeqësisht, po e them, nuk jam befasuar, sepse është pjesë e traditës dhe kulturës politike të Vetëvendosjes: urrejtja gati patologjike në raport me bartësit e luftës së UÇK-së. Ua kujtoj këtu, zoti Kurti nga foltorja e Kuvendit thoshte: ‘Shko Hashim, shko në Hagë’. Çka është më e rëndë: kjo apo një pamflet? E kemi edhe zonjën Gërvalla që ka thënë publikisht se ka deponuar në Hagë, madje në një paraqitje të saj të fundit ajo, me mënyrën se si u shpreh dhe foli, i bëri argat Prokurorisë”.
“Kurti, në një intervistë, pati thënë që PDK i ka katër kryetarë dhe shkojnë në Hagë marrin vendim. Dhe pikërisht të njëjtat gjëra, të njëjtat fjalë i thotë Prokuroria në Hagë, dhe janë po këto argumente që ajo i përdor për t’ua pamundësuar mbrojtjen në liri ish-drejtuesve të UÇK-së”, tha Çitaku./Periskopi/



