Çka do të thoshte i riu që pyeste “A ban me folë, a ban me folë?”

Çka do të thoshte i riu që pyeste “A ban me folë, a ban me folë?”

Zgjedhjet qendrore të vitit 2014 i kishte fituar Partia Demokratike e Kosovës [PDK]. Televizioni i njohur kombëtar “KTV” kishte shkuar në bastionin e kësaj partie për të regjistruar festën e simpatizantëve. Në një fshat, ky televizion i kishte kapur disa të dehur që vallëzonin e flisnin hareshëm. Nga teshat e veshura mund t’ua gjykoje statusin ekonomik: njerëz të varfër. Po në ato zgjedhje, po i njëjti televizion, e kishte bërë një tjetër kronikë ku paraqiste dy të rinj në festë, njëri duke thënë “Urime Malishevë, Drenas, Kosovë!” ndërsa tjetri duke kërkuar leje për të folur.

Këto video u bënë virale në hapësirën tonë digjitale, aq sa edhe pesë vjet më vonë njerëzit në fjalë bëhen objekt talljeje e përbuzjeje.

Por, çka i bën domethënëse këto dy video? Dy gjëra. E para, është motivi i festës ndërsa e dyta është theksi që reflektonte rajonin prej nga vinin, Drenicën.

Raportimit të KTV-së për të dyja rastet mund t’i vërehet fare lehtë tendenca raciste e poshtërimit të një grupi njerëzish me përkatësi të caktuar rajonale. Ky televizion, që megjithatë është më profesionali në vend, pa fijen e ngurrimit identifikon njerëz të dehur në pozita të papërshtatshme. Madje, kamera shihet duke kërkuar sa më shumë gjeste e sa më shumë fjalë për ta kënaqur kësisoj perversitetin racist të shoqërisë ndaj këtyre njerëzve.

Kronika tjetër, që sot është edhe më virale se e para, paraqet një të ri që nënshtrueshëm pyet në mënyrë të përsëritur: “A ban me folë, a ban me folë?” Çka është e tmerrshme brenda kësaj videoje? Ta bëjmë të riun në fjalë qytetar të Prishtinës, që zanoren ‘a’ e ka zëvendësuar me atë ‘o’ [një evoluim gjuhësor që mund të shihet me sy të lirë, brenda katër-pesë dekadave të fundit]: “A bon me folë, a bon me folë?” A do të bëhej një video e tillë virale? Kurrë. Përkundrazi, do të merrej si akt i qytetëruar.

Pra, e kemi fare të qartë se në rastin në fjalë po qeshim [në fakt, kur qeshja e lëndon tjetrin ajo mund të cilësohet si përqeshje] përmes paragjykimesh provinciale e racore [nuk kemi të bëjmë me racë tjetër, por me pikëvështrimin që thotë se ka elemente eleatike, gjenetike që e bëjnë më të keq, të dobët e të përbuzshëm një pjesëtar të një grupi tjetër njerëzish].

Në rastin tonë, duke qenë se racizmin e kemi të nënvetëdijshëm dhe të palejuar në sferën publike, ai shfaqet përmes belbëzimesh të tilla, përmes cinizmit e hajgareve që nuk pranojmë kurrsesi t’i zbërthejmë. Me fjalë të tjera: që i mbajmë jashtë të menduarit.

Por, forca e këtyre hajgareve është e jashtëzakonshme brenda një shoqërie që nuk ka vakt dhe nuk ka traditë në të menduar. Brenda një shoqërie me mendje të përlloçur. Hajgaret janë elemente diskursive që duke u lejuar gjerësisht si të pazbërthyeshme e të paekzaminuara, korruptojnë dhe zhdukin vlerat në të cilat deklarojmë se besojmë. Po t’i pyesësh shumicën e njerëzve që vazhdojnë të tallen me këta njerëz në video, rrallë ndonjë do të deklaronte hapur se është racist. Ashtu, në të kaluar, e ka marrë vesh se është keq që të deklarohesh si racist dhe natyrshëm e mohon një etiketë të tillë. Ama, trendet janë në qarkullim dhe racizmi qoftë edhe tërthorazi-hapur mund të futet brenda sferës publike, e të bëhet në modë, dhe i njëjti do të rreshtohet brenda grupimeve të tilla politike.

Duke qenë se racizmi e fashizmi në historinë politike të shqiptarëve të Kosovës ishte i paartikuluar, mund ta marrim me mend se e gjithë kjo ka fillesë në racizmin internal. Një qytetar i Drenicës nuk përçmohet sepse e mbështet PDK-në, por shkaku që është nga Drenica. Dhe pjesërisht, PDK-ja nuk përçmohet sepse ka bërë qeverisje të keqe, por shkaku që kreu i saj është nga Drenica. Tash, kjo parti ka bërë reforma në imazhin e saj, duke sjellë njerëz gjithnjë e më urbanë në dukje, dhe rezultatet e zgjedhjeve përkundër çdo dështimi e skandali të saj, mund të jenë sërish befasuese!

Pse? Sepse, ka një masë votuesish – kryesisht të  varfër – që nuk mund ta ndërrojnë theksin e tyre brenda një dekade sipas kërkesave të tregut. Ka një masë votuesish që ndihen të shtypur nga paragjykimet shoqërore. Dhe që prehjen e gjejnë brenda një partie që i eksploaton këto paragjykime të përçudshme. Ndërsa në anën tjetër, edhe masa e përmendur që operon me përqeshje të tilla do ta ndërronte mendimin për PDK-në më urbane.

Diskursi prodhon shtypje dhe pushtet. Prodhon të shtypur dhe pushtetarë. Dhe nga ky kënd, ai që është i shtypur nuk është tallësi, por i talluri. Ai që është pushtetar, nuk është i riu që pyeti nënshtrueshëm “a ban me folë?” por ai që nuk i dha fjalën e më vonë e përqeshi.

Hajgaret dhe sharjet kanë forcë të jashtëzakonshme në mirëmbajtjen e vlerave tona provinciale, seksiste dhe në përgjithësi në skemën e prodhimit të shtypjeve e privilegjeve. Nuk janë dije jopolitike e të nënshtruara. Përkundrazi, janë dije politike e nënshtruese.

Shpërndaje në: