Çka mësova nga përleshja që pati nëna ime me Liberta Spahiun

Çka mësova nga përleshja që pati nëna ime me Liberta Spahiun

Shkruan: Dafina Demaku 

Të martën e javës që po lëmë pas, një grip, nuk më ra as në fyt as në hundë, por në bark. Një grip mjaft i zoti, që e di ku të bie, në atë që e mbush me mjaft vështirësi, të paktën me ndonjë ushqim të shëndetshëm.

Gripi e nisi me butësi e dikur u harbua. Nejse, ai po e bënte punën e vet. Nëna ime (si nënat e të gjithëve, me siguri) me të marrë vesh se isha sëmurë erdhi në banesën time, ekskluzivisht që të kujdesej për mua.

Ne shqiptarët e kemi nga plaku Ismet Peja të famshme thënien se ‘robi plaket kur do vetë’ po edhe amerikanët e kanë një shprehje të tillë, të paktën, kështu e pata lexuar në një roman fenomenal të Harper Lee me titull “To kill a mockingbird” (Të vrasësh zogun përqeshës). Edhe aty vihet në dukje se edhe tek amerikanët mund të ekzistojë një shprehje e tillë pasi që personazhi i romanit shprehet për nënën që i vdiq herët: “Nëna ime jetoi sa deshi dhe vdiq”. Ajo që dua të them është se edhe nëna ime, megjithëse e shtyrë në moshë, nuk është plakur aq. Ndoshta plaket kur do vetë dhe do të vdesë, kur të dojë vetë.

Nejse, dua t’i bie më shkurt dhe të hy më në temë, te tema se si e zura nënën duke u përleshur me Liberta Spahiun dhe çfarë mësimi nxora nga kjo përleshje.

Nëna, e lodhur me siguri që më ndejti mbi kry 4-5 orë, m’u largua pak. E kishte marrë telefonin e saj dhe kishte vendosur ta eksplorojë Youtuben. Me siguri, aksidentalisht ka hasur në emisionin e njohur ‘Prive’ të Klan Kosovës.

Teksa lëngoja nga gripi që më la të shtrirë, e çova kokën dhe pashë nënën që po përlahej me fjalë me Liberta Spahiun. Nuk e di a me Libertën ose ndonjë mysafire të saj, por njëra ndër to, paska thënë se: “…kur të martohesh nuk ke përgjegjësi”. Kjo mund të jetë një fjali e shkoqitur nga nëna, që ta dëgjojë vetëm atë fjali dhe ta ‘analizojë’ sepse reagim i saj ishte mjaft i ashpër.

“Qysh s’ke përgjegjësi kur martohesh…”, i bërtiti nëna ime Libertës në telefon.

E hoqa faculetën e lagur që e mbaja t’ma heqte zhegun e temperaturës truprore si shkak i gripit  dhe e pyeta nënën se kush e bëri nervoz në telefon. S’ma merrte mendja se ndonjëri nga vëllezërit e mi – djemtë e nënës, në Austri e ka bërë nervoz në Viber e aq më pak me atë fjali të papërgjegjshme :P.

Nëna më tha se e dëgjoi në këtë emision se ‘kur martohesh nuk ke përgjegjësi’ dhe se kjo sipas saj nuk është aspak e vërtetë. Se a është e vërtetë a nuk është, hiç s’po merrem, kjo është një temë në vete.

Por, një gjë më shkoi në mend. Nëma imë kësaj here ishte publiku. E kap fjalën që do, fjalinë që e ka zënë rastësisht dhe faji mbetet te: emisioni, Liberta, mysafiri i Libertes, fjalia e dëgjuar kur ke vakt, fjalia e lexuar kur ke vakt, vetëm titulli i dëgjuar, vetëm titulli i lexuar.

Na ndodh shpesh, që në Periskop, kur përkthejmë lajme, ta zëmë nga Guardian, reagimi i lexuesve është: po rreni shumë. Mirë do të ishte të lexonim më gjatë, se nuk po e them unë po e thotë Guardiani (dhe Guardianit me siguri ia kanë thënë ata nga NASA). Dhe lexoje mirë se ‘ngrohja globale’ nuk është rrenë dhe që bota do të përvëlohet prej saj nuk është rrenë. S’po rrejmë as ne as Guardiani.

Sikur nëna ime ta dëgjonte të gjithë emisionin Liberten ose mysafiren e saj, ndoshta do ta kuptonte pse kanë thënë se ‘kur martohesh nuk ke përgjegjësi’ dhe do ta shmangte fare leht përleshjen virtuale me të.

Shpërndaje në: