Çka ndodhi mbrëmë në Kongres? Ky është rrëfimi i gazetares së pranishme në momentet e frikshme

Çka ndodhi mbrëmë në Kongres? Ky është rrëfimi i gazetares së pranishme në momentet e frikshme

Xhejmi Shtim (Jamie Stiehm) është një kolumniste politike amerikane që ndodhej brenda ndërtesës së Capitol Hillit në Washington DC kur ajo u sulmua nga protestuesit pro-Trump. Ja çka pa ajo nga galeria e mediave në Kongres.

I thashë motrës time më herët: “Diçka e keqe do të ndodh sot. S’e di çka, por diçka e keqe do të ndodh.”

Jashtë Kongresit, hasa në do përkrahës shumë të zhurmshëm të presidentit Donald Trump, të gjithë me flamuj duke valëvitur dhe me zotime se s’do ta tradhtonin kurrë. Kishte diçka që thoshte se telashet ishin në prag, përcjell Periskopi.

Hyra brenda në Dhomën e Përfaqësuesve dhe u ngjita në galerinë e shtypit, ku kishim ulëset e rezervuara. Spikerja Nancy Pelosi po mbante çekanin, duke i ndaluar njerëzit që të mos jepnin deklarata më shumë se 5 minuta.

Derisa po hynim në orën e dytë, papritmas dëgjuam thyerjen e xhamave. Ajri po bëhej i tymosur. Një njoftim nga Policia e Capitolit thoshte, “Një individ ky hyrë në ndërtesë”. Secili po shihte rreth e rrotull por puna vijoi si gjithnjë. Ama pastaj, njoftimet vazhdonin të vinin. Dhe po bëheshin gjithnjë e më urgjente.

U njoftuam se njerëzit kishin hyrë brenda ndërtesës rrethore, që është poshtë kupolës së famshme të mermertë. Shtëpia e shenjtë e demokracisë ishte në flakë.

Shumica prej nesh jemi gazetarë të thekur – unë për vete kam parë dhunë derisa po mbuloja vrasje në Baltimore – por kësaj here ishte e papritshme. Policia dukej se nuk e dinte se çka po ndodhte. Ishin të pakoordinuar. I mbyllën dyert e dhomës por në të njëjtën kohë, na thanë se duhej të evakuoheshim. Kështu që kishte një sens paniku aty.

Kisha frikë. Po jua them që kisha frikë. Dhe fola me gazetarë tjerë që më thanë se iu vinte turp që kishin vrikë.

Kishte një sens të asaj se “askush nuk ka kontrollin këtu”, se Policia e Capitolit ka humbur kontrollin e ndërtesës, dhe se gjithçka mund të ndodh”.

Nëse ktheheni te sulmet e 11 shtatorit 2001, kishte një aeroplan që u rrëzua dhe nuk qëlloi shënjestrën e tij. Ajo shënjestër kishte qenë Capitoli – ndërtesa ku ishim tash. Kishte një jehonë të kësaj gjëje. E thirra familjen time, veç për t’ju thënë se isha aty dhe se situata ishte e rrezikshme.

U dëgjua një e shtënë. Mund ta shihnim se çka po ndodhte në dhomën tonë. Pesë burra po mbanin armë në dorë. Ishte pamje e frikshme. Burrat po këqyrnin përmes dritareve me xhama të thyer dhe dukej se mund të qëllonin në çdo sekondë.

Për fat të mirë nuk pati të shtëna në dhomë. Por për pak momente aty, dukej se kjo ishte ajo që do të ndodhte. Sepse gjërat po rrëshqisnin teposhtë tepër shpejt.

Na u desh të zvarriteshin nën kangjella për t’u hequr jashtë rruge. Nuk isha e veshur për ta bërë atë gjë. Shumë gra ishin veshur me take, e kështu me radhë, sepse ata kishin ardhur për një ritual formal.

U strehova në kafeterinë e Kongresit bashkë me të tjerët. Ende po dridhem.

Kam parë shumë gjëra si gazetare, por kjo ishte krejt tjetërçka. Kjo ishte sfera publike kolektive që po minohej, sulmohej e degradohej. Dhe kjo është arsyeja pse mendoj që Spikerja donte të kthehej e të mbante çekanin në dorë dhe të vazhdonte punën.

Më pas mu desh të vendosja se a duhej të kthehesha në dhomë po ashtu. Vendosa që ndoshta po, sepse mesazhi që po dërgohej ishte: “Mund t’i nxisni banditët, por ne do të vazhdojmë”. Mendoj se ky është një mesazh shumë i rëndësishëm politik. /Periskopi

Shpërndaje në: