“Çmimi i energjisë mund të rritet deri në 20 për qind”

“Çmimi i energjisë mund të rritet deri në 20 për qind”

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka paralajmëruar se çmimi i energjisë elektrike në Kosovë pritet të rritet, duke u bazuar në zhvillimet e fundit në sektorin energjetik dhe kërkesat e paraqitura pranë institucioneve rregullatore.

Sipas Shalës, politikat e deritanishme qeveritare, së bashku me paralajmërimet e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe kërkesat e kompanive furnizuese për përcaktimin e të hyrave maksimale të lejuara, tregojnë se një rritje e tarifave të energjisë është e pashmangshme tha ai për FrontOnline.

“Nisur nga politikat qeveritare të deritanishme, si dhe nga paralajmërimet e ZRRE-së dhe kërkesat tashmë të deponuara për përcaktimin e të hyrave maksimale të lejuara nga kompanitë furnizuese me energji elektrike, është e qartë se çmimi i energjisë pritet të rritet”, ka deklaruar Shala.

Ai ka theksuar se niveli i saktë i rritjes do të varet nga vendimet që do të marrin institucionet përgjegjëse për menaxhimin dhe rregullimin e sektorit energjetik.

“Sa do të jetë niveli i kësaj rritjeje do të varet nga institucionet përgjegjëse që vendosin, trajtojnë dhe menaxhojnë sektorin energjetik”, ka thënë ai për FrontOnline.

Megjithatë, sipas indikacioneve aktuale që ai përmend, rritja e çmimit të energjisë mund të arrijë deri në rreth 20 për qind.

“Sipas indikacioneve aktuale, rritja mund të jetë rreth 20%”, është shprehur ai, transmeton Periskopi

Shala ka vlerësuar se situata aktuale politike në vend mund të ndikojë në një vendim të tillë, për shkak të mungesës së kontrollit të mjaftueshëm institucional, transparencës së plotë dhe një auditimi të qartë të shpenzimeve dhe importeve të energjisë.

Ai gjithashtu ka theksuar se një parlament jashtë funksionit dobëson mbikëqyrjen institucionale dhe krijon hapësirë për keqmenaxhim apo korrupsion në sektorin energjetik.

“Në këto rrethana, një parlament jashtë funksionit përbën një faktor që dobëson mbikëqyrjen institucionale dhe krijon hapësirë për keqmenaxhim apo korrupsion në sistemin energjetik qeveritar”, ka përfunduar Shala

Shpërndaje në: