Çollaku: Përfshirja e Gjermanisë dhe Francës, pikë kthese në procesin e dialogut

Periskopi.com Lajme

Shefi i Kabinetit të Presidentit Hashim Thaçi, flet për gazetën “Shekulli”. Bekim Çollaku, tregon prapaskenat e takimit të Berlinit. Çfarë u vendos atje, si dhe shpjegon qëndrimin e tij në lidhje me deklaratat publike të Kryeministrit Ramush Haradinaj

Takimi i Berlinit pati si temë qendrore ecurinë e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. Gjermani ka kërkuar një prezencë më të madhe të saj në këtë çështje. Ajo që preokupon më shumë është çështja e taksës së vendosur nga Qeveria e Kosovës kundër mallrave Serbe dhe Boshnjake. Për këtë çështje ka pasur edhe një debat në Berlin. Sipas një interviste që ka dhënë Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, rezulton se Kryeministri Shqiptar Edi Rama dhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ti kenë kërkuar Haradinajt në sytë e Merkleit dhe Macron që të pezullojë taksën kundër Serbisë dhe Bosnjës. Shefi i kabinetit të Presidentit Hashim Thaçi, Bekim Çollaku, jep opinionin e tij për gazetën “Shekulli”. Çollaku nuk është dakord për mënyrën se si e ka trajtuar në publik Kryeministri Haradinaj këtë çështje. Sipas tij, bisedat in formale nuk duhen bërë publike.

Çollaku cilat janë konkluzionet e takimit e Berlinit, a u arritën pritshmërinë  e Kosovës apo jo?

Konkluzionet e takimit të Berlinit janë bërë publike në deklaratën e përbashkët e cila ishte e harmonizuar paraprakisht. Ne e kemi bërë të qartë edhe përpara takimit, se nuk do të këtë asgjë të jashtëzakonshme. Pra, nuk është se kemi pasur pritje për këtë takim sepse nuk mund të ndodhin mrekulli të papritura në takime të kësaj natyre.

Besoni se roli i Berlinit do te jete vendimtar për ecurinë e dialogut Prishtine-Beograd?

Takimi i Berlinit ka qenë i bashkë organizuar në Gjermania dhe Franca, respektivisht Kancelarja Merkel dhe Presidenti Makron. Përfshirja e drejtpërdrejtë e Gjermanisë dhe Francës në mbështetje të procesit të dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sigurisht që shënon një moment kthese. Këtë përkrahje dhe përfshirje e kemi kërkuar që një kohë të gjatë dhe është e mirëseardhur. Mirëpo, nuk është e mjaftueshme. Ne mendojmë se marrëveshja eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm në rast se ka një koordinim të plotë ndërmjet shteteve të Quintit, respektivisht SHBA, Gjermanisë, Francës, Anglisë dhe Italisë. Këtë e kemi bërë të qartë edhe në takimin e Berlinit. Roli i SHBA-ve në këtë proces mbetet vendimtar bazuar në përvojën e deritanishme nga të gjitha proceset që kanë ndodhur në Ballkanin Perëndimor. Prandaj shpresoj se nga tani e deri në takimin e radhës në Paris, ka kohë të mjaftueshme që një koordinim i tillë të ndodhë.

Sipas jush ka dështuar Federica Mogherini në angazhimin e saj për të zgjidhur mosmarrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë?

Në asnjë rrethanë jo. Përkundrazi. Roli i ndërmjetësues i Përfaqësues së Lartë të BE-së znj. Federica Mogherini mbetet i padiskutueshëm sepse dialogu si proces është i dizajnuar të zhvillohet nën përkujdesjen e BE. Për më tepër, ndërmjetësuesja  Mogherini ka përkrahjen e plotë të shteteve anëtare të BE-së, duke përfshirë Gjermaninë dhe Francën, që të vazhdoj me përpjekjet e saja në kuadër të këtij procesi deri në fund të mandatit të saj. Ajo gëzon edhe përkrahjen e SHBA-ve në përpjekjet e saja që palët të arrijnë marrëveshje. Personalisht, mendoj se znj. Mogherini ka barë përpjekje të jashtëzakonshme që të nxis palët të ofrojnë qëndrimet e tyre për të arritur marrëveshje. Se a do t’ia dalë të arrijë një gjë të tillë deri në fund të mandatit të saj, mbetet të presim.

 

Shpërndaje në: