Daka: Votimi jashtë Kosovës është vështirë i menaxhueshëm

Daka: Votimi jashtë Kosovës është vështirë i menaxhueshëm

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka,  në “Analiza Zgjedhore” tha se votat nga Serbia gjithmonë kanë ardhur në mënyrën e njëjtë.

“ Këto vota kanë ardh me kohë, para ditës së zgjedhjeve më mënyrën e njëjtë. KQZ asnjëherë nuk i ka ndërruar procedurat e pranimit të atyre votave. Subjektet nuk janë ankuar herave të tjera, sepse nuk ka pasë rezultate kaq të ngushta. KQZ nuk plotëson dëshira, zbaton procedura”, ka thënë Daka.

Ajo ka përmendur faktin se Posta e Kosovës dhe Posta e Serbisë nuk bashkëpunojnë.

“Votimi jashtë Kosovës është shumë vështirë i menaxhueshëm dhe lehtë i manipulueshëm. Votimi jashtë është vështirë të organizohet për 30 ditë. Kjo na ka shkaktuar probleme më së shumti”.

Në Analizën Zgjedhore, Daka ka theksuar se PZAP nuk i ka shqyrtuar asnjë palë vota, qoftë ato nga Serbia apo mërgata.

“Është e vërtetë që formulari i shtypur ka qenë gabim teknik që është korrigjuar nga ana e KQZ-së. Për gjashtë ditë është bërë rinumërimi i të gjitha kutive që kanë pasë formularin e plotësuar gabimisht. Formularët tjerë, rreth 2 mijë kanë qenë të plotësuar në mënyrë korrekte. Nëse është dëmtuar dikush janë dëmtuar dy subjektet e para, ndërsa subjektet tjera nuk kanë qenë të dëmtuara”.

Daka, ka thënë se ky komision ka më tepër se një javë që është gati t’i shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetori.

“Por përfundimisht nesër  do t’i shpallim rezultatet përfundimtare”, ka thënë Daka.

“Kandidatët dhe subjektet politike kanë afatin 24 orësh për ankesa. Nëse PZAP nuk merr vendim për ndonjë rinumërim atëherë ne jemi të gatshëm që t’i certifikojmë rezultatet”.

“Sipas meje deri në ditën e zgjedhjeve çdo gjë ka qenë e shkëlqyeshme, dita e zgjedhjeve ka qenë e vlerësuar si një ditë e organizuar mirë dhe jemi marrë shembull edhe në rajon. Ankesat kanë bërë që procesi të stërzgjatet”.

“Votimi jashtë Kosovës na tregon se ligji ka defekte. Gjithmonë po organizojmë zgjedhje të parakohshme në afate të shkurta dhe nuk mund t’u japim mundësi të gjithëve siç parasheh ligji sepse ligji parasheh organizmin e zgjedhjeve të rregullta”.

Ajo ka thënë se zgjedhjet e fundit parlamentare kanë qenë të katërtat për të në krye të KQZ-së.

“Sidomos pas këtyre zgjedhjeve dhe atyre që kanë dalë është e pashmangshme reforma zgjedhore. KQZ nuk mund ta lë askënd jashtë, KQZ vetëm i transmeton rezultate që i ka prodhuar dikush tjetër – populli. Ne nuk krijojmë rezultate, vetëm i shpallim ato sipas votuesve”.

Shpërndaje në: