Dalja nga kriza e imazhit

Dalja nga kriza e imazhit

Në korrik të vitit 2017 shkruaja se kriza politike në Kosovë ishte në fakt thjesht dhe vetëm një krizë imazhi. Një krizë imazhi e prodhuar nga sistemi ynë politik që lëngonte për një imazh të ri.

Prej vitit 2014, Kosova përjetoi momente dramatike në politikën e saj. Pati shumë kukama, ofendime, gjuhë urrejtëse e dhunë. Ishim në krizë politike, u tha. Por, gjashtë vjet më vonë, e marrim vesh se e vërteta ishte ndryshe: i gjithë ai helm i derdhur pa kursim burimin e kishte te sistemi ynë politik. Sistemi politik ishte në një farë krize dhe kërkonte rilegjitimim. Pushtetarët e atëhershëm përmes abuzimeve që bënin i ekspozonin tepër shumë dhimbjet dhe pakënaqësitë qytetare.

Por, kriza dukej si e patejkalueshme sepse asnjëherë nuk u konceptua ashtu siç ishte: thjesht dhe vetëm si një krizë imazhi. Sapo të ndërrohej imazhi do të kapërcehej kriza.

“Kriza do të tejkalohet vetëm në rast të ardhjes së Vetëvendosjes në pushtet. Vetëm kjo parti do t’i jepte imazhin e pëlqyeshëm, dhe do t’i shërbente më me besnikëri sistemit…” – shkruaja në vitin 2017.

Dhe, pa dyshim, Vetëvendosje ka arritur të fitojë pushtetin duke i premtuar besnikëri të plotë sistemit. Nuk do të kishte tolerancë ndaj asnjë daljeje nga sistemi, ndaj asnjë korrupsioni. Vetëvendosje nuk erdhi në pushtet për shkak të qëndrimeve të saj të mëhershme politike, që i shkeli një nga një, ose për shkak të programit të saj qeverisës, por erdhi për shkak se lideri i saj nuk vinte nga klasa e ulët e shoqërisë, nga fshatarësia e varfër. Për më tepër, ky lider ishte edhe orator i mirë dhe mund të justifikonte çdo shkelje qëndrimi që bënte. E ky ishte elementi kryesor dhe më i rëndësishëm i një politikani për të ruajtur imazhin.

Qendra duhej të pastrohej nga ish fshatarët e varfër që s’dinin mirë as shkrim-lexim, e që ishin tepër jo-burokratik në qeverisje, dhe të cilëve iu nëpërdukej sheshit korrupsioni. Sheshi do t’i duronte gjithnjë e më pak viktimat e sistemit, margjinalët, varfanjakët, të padijshmit e katundarët.

Për ditën e flamurit, Kurti refuzoi t’iu jepte qytetarëve tanë ashkali një fond të caktuar nga qeveria për festë – sepse ata nuk kishin respektuar procedurat burokratike. Merreni me mend, nga një aktivist që shpërfillte burokratët, ai u bë një burokrat i regjur. Asnjë shpenzim publik nuk duhej të ndodhte pa respektim të plotë të procedurave.

Kurti arriti t’i jepte një shtytje të jashtëzakonshme legjitimitetit të rrënuar të sistemit tonë politik. Viktimat e sistemit, varfanjakët, të padijshmit e katundarët tashmë do ta kishin një arsye më bindëse për mjerimin e tyre nga oratoria e kryeministrit. Natyrisht, ritmi i zhvillimit ekonomik nuk do të rritet – ta zëmë, thjesht premtimi i Kurtit për rritjen e buxhetit të tij gjatë mandatit ishte më i vogël se rritja reale e secilës prej qeverive të mëparshme – e as nuk do të përmirësohet mirëqenie. Kurti nuk është dhe nuk do të jetë aleat i shtresës së varfër – sepse kjo shtresë është e paarsimuar, e pakualifikuar për punë, me logjikë që kërkon kryerje punësh jashtë procedurave, pra me logjikë korruptive. Nuk do të jetë as aleat i bizneseve të vogla e të mesme, në asnjë kuptim, sepse një aleancë e tillë do ta përlyente menjëherë imazhin e tij.

E në fund të fundit, çështja është se si ta ruash atë imazh.

Ndryshimi i të gjitha qëndrimeve politike të Kurtit në politikën e jashtme e dëshmon edhe më mirë një gjë të tillë. Aktualisht, nuk është Kurti ai që po refuzon të ulet në tavolinë negociatash me Serbinë, por është Serbia që po refuzon të ulet në tavolinë negociatash me Kosovën. Dhe, Serbia nuk po ulet për shkak të 2 përqindëshit të eksporteve të saj, ndërkohë që Kurti po ulet ani pse nga qëndrimet e tij të mëhershme kishte edhe të vrarë, ani pse kauzat politike vlejnë miliona herë më shumë se 2 përqindëshi i eksporteve serbe.

Por, asnjë nga këto gjëra nuk do ta dëmtojë Kurtin. Pushteti i tij do të jetë tepër i gjatë, ndërsa për shkak të legjitimitetit politik, ironia është se pikërisht ai do ta nënshkruajë marrëveshjen përfundimtare me Serbinë dhe do ta legjitimojë atë.

Ama kjo s’do të ketë pikë rëndësie për mirëqenien e qytetarëve të vendit. Dhe kjo do të vazhdojë deri në momentin kur të dalim nga kjo garë imazhesh snobiste në politikë./Periskopi

Shpërndaje në: