Dallku para finales së Kupës: Presioni është te Llapi

Dallku para finales së Kupës: Presioni është te Llapi

Dukagjini i drejtuar nga Armend Dallku, do të luajë nesër (e mërkurë) finalen e madhe të Kupës së Kosovës, ndaj Llapit, ku një fitore eventuale vlen më shumë se një trofe, duke qenë se garanton pjesëmarrje në garat evropiane, shkruan Insporti.

Armend Dallku, i cili përveç suksesit në Kupë, është duke udhëhequr Dukagjinin drejt rikthimit në elitën e futbollit vendor, në një intervistë për Insportin, u shpreh se nuk ndjen presionin e finales, duke thënë se trysnia është mbi Llapin, si klub favorit që kërkon daljen në Evropë tash e sa vite.

“Kemi disa dëmtime të vogla, por presim që stafi mjekësor të na thotë deri nesër se a do të jenë në gjendje për të luajtur. Jemi përgatitur mjaft mirë, në maksimumin e mundësive tona dhe e presim me shumë qetësi ndeshjen. Presioni është mbi kundërshtarin (Llapin) sepse ka disa vite që e kërkon me doemos Evropën, teksa ne kemi bërë maksimumin deri këtu, por dëshira e të gjithëve është që Kupa të vie në Klinë” – deklaroi ai.

Dukagjini, i cili trofeun e vetëm e ka në Ligën e Pavarur të Kosovës, gjatë edicionit 1993/1994, luan finalen e dytë në histori të Kupës së Kosovës, teksa të paren e kishte luajtur në vitin 1996, ku ishin mposhtur 2-1 nga Flamurtari.

Dallku, i cili ka fituar Kupën e Kosovës më parë sa ishte pjesë e Prishtinës, është i vetëdijshëm se çfarë do të thotë një trofe i tillë për qytetin e Klinës.

“Po, e kam fituar (Kupën) me Prishtinën dhe ndjehem mirë për këtë arritje, mirpo dua që ta fitoj edhe këtë radhë duke ditur që Kupa për një qytet si Klina, dhe një ekip si Dukagjini do të thotë shumë pasi ka një kohë të gjatë që nuk ka pasur trofe” – përfundoi ai.

Ndeshja zhvillohet nesër (12 maj, 2021), në orën 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë

Shpërndaje në: