Darka e Lamës u bë darkë turpi: Gjithçka që shkoi keq në eventin bujqësor të Vjosa Osmanit

Darka e Lamës u bë darkë turpi: Gjithçka që shkoi keq në eventin bujqësor të Vjosa Osmanit

Gjatë mbrëmjes së kaluar në një hotel të shtrenjtë elitar të quajtur Emerald u organizua “Darka e Lamës” nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ende nuk dihet se sa para ka kushtuar kjo darkë, që përpiqet të përkujtojë rrënjët bujqësore të popullit shqiptar.

Sidoqoftë, ajo që dihet është se kashta ishte përdorur vetëm sa për dekor në Emerald, dhe se në tavolinat e të ftuarve që shkelën masat e pandemisë Covid-19 u panë ushqime tradicionale mjaft të shtrenjta, mu në kohën e rritjes së çmimeve.

Periskopi iu sjell disa prej arsyeve pse kjo darkë e “Lamës” ishte më shumë një darkë “e turpit”.

Shkelja e masave

Një problem i madh me darkën në fjalë ishte mos-respektimi i masave antiCOVID-19. Policia e Kosovës, ashtu si Inspektorati, i ka tashmë të qarta pamjet e publikuara ku duken shumë e shumë pjesëmarrës dhe ku duket që nuk respektohet fare distanca e rekomanduar nga autoritetet shëndetësore.

Kujtojmë që edhe pse ka një përmirësim të kushteve të pandemisë, vetëm gjatë shtatorit kishte pasur qindra të vdekur nga virusi.

Për më keq, shumë e shumë qytetarëve u janë ndaluar ahengjet familjare e shoqërore për shkak të masave. Shumë të tjerë e kanë pësuar me dënime të rënda gëzimin familjar e shoqëror. Por, kjo s’do të vlejë edhe për pushtetarët tanë.

Bujqësia

Edhe pse, “Darka e Lamës” duhet të jetë një darkë shumë modeste ku përkujtohet para së gjithash kultura e punës në ara, as presidenti e as kryeministri as simbolikisht nuk kanë ndihmuar bujqit apo blegtorët kosovarë në punët e tyre.

Për më tepër, ka një zvarritje të madhe në dhënien e subvencioneve në bujqësi çka ka shkaktuar edhe zemërimin e shumë e shumë bujqve gjatë javëve të kaluara.

Prishtina ishte bllokuar jo shumë kohë më parë nga bujq që kishin dalë me traktorët e tyre në protestë kundër subvencioneve.

Në fotografitë e shpërndara nuk shihej asnjë bujk i vetëm në ndonjë tavolinë, edhe pse kjo është festë bujqish.

Varfëria

Mu në këtë kohë, populli shqiptar i Kosovës po përjeton një rritje alarmante të çmimeve në produktet bazë.

Presidentja Osmani u shpreh se “dita e djeshme” i kishte dhënë kuptim shprehjes popullore “bukë, kripë e zemër” por në fakt në tavolinë shihej edhe mishi dhe luksi i Hotelit Emerald. Kashta, s’mjaftonte.

Në tavolinat e pushtetarëve nuk u pa asnjë qytetar i varfër. As lypësari i ri me emrin Fatos, që ishte shqelmuar në qendër të Prishtinës nga avokati Tomë Gashi.

Në vend se të ishte solidarizim me varfërinë, ajo u bë një mbledhi elitare e pakuptimtë.

Kushtetuta

Për më tepër, për shkak të shkeljes së masave të pandemisë dhe trajtimit si e privilegjuar, presidentja del se ka shkelur edhe Kushtetutën.

Ja çka shkruan Neni 3, pika 2, për këtë punë:

Neni 3 [Barazia para Ligjit]

“2. Ushtrimi i autoritetit publik në Republikën e Kosovës bazohet në parimet e barazisë para ligjit të të gjithë individëve dhe në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht, si dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe në pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.” – thotë Kushtetuta.

Për shkak të turpit të përjetuar, Vjosa Osmani, nikoqirja e takimit, nuk ka postuar asgjë nga kjo darkë. /Periskopi 

Shpërndaje në: