Departamenti Amerikan i Shtetit: Të lejohen serbët në Kosovë që të votojnë të dielën në referendum

Departamenti Amerikan i Shtetit: Të lejohen serbët në Kosovë që të votojnë të dielën në referendum

Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar në Kosovë me çështjen e mbajtjes së referendumit të Serbisë.

DASH ka ripublikuar komunikatën e lëshuar nga QUINT-i, ku thuhet se mbështetet referendumi dhe bëhet thirrje që në të të votojnë të gjithë qytetarët serbë.

Me këtë rast, DASH i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të lejojë mbajtjen e këtij referendumi, për siç thonë ata “ushtrimin e të drejtës së votës nga serbët”.

“Vërejmë me keqardhje se qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm, në përputhje me praktikën e kaluar. Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet në komunikatën e DASH-it.

Thirrja e plotë e Departamentit Amerikan të Shtetit:

Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian mirëpresin referendumin e 16 janarit të Serbisë për ndryshimet kushtetuese si një hap kyç për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe për të rritur transparencën dhe efektivitetin e shtetit të së drejtës në vend. Ne besojmë se këto reforma janë një hap përpara drejt përafrimit të Serbisë me standardet evropiane dhe do të mbështesin procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE.

Ne i kemi inkurajuar të gjithë qytetarët serbë që të marrin pjesë në referendum dhe besojmë se është e rëndësishme që votuesit me të drejtë vote kudo që janë në gjendje të votojnë në zgjedhje dhe referendume. Vërejmë me keqardhje se qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm, në përputhje me praktikën e kaluar. Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur.I bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që zhbllokon perspektivën e BE-së dhe rrit stabilitetin rajonal.

Shpërndaje në: