Dështimi i KQZ-së: Si u emërua numërues votash djali i kandidatit për deputet, Nait Hasani?
Ndalimi i djalit të një kandidati për deputet, nën dyshimet për manipulime gjatë procesit të numërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Prizren, ka nxjerrë në pah një dështim serioz institucional të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në parandalimin e konfliktit të interesit dhe në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor, konkretisht numërimin e votave, raporton Periskopi.
Rasti ka ngritur pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si KQZ ka lejuar që një person me lidhje të drejtpërdrejtë familjare me një kandidat për deputet të angazhohet si numërues në një proces ku interesat politike janë të drejtpërdrejta dhe të ndjeshme.
Sipas ligjit për zgjedhjet, grupet e numërimit emërohen nga KQZ-ja, në bazë të nominimeve të partive politike. Por, edhe pse nominimi i numëruesve bëhet nga subjektet politike, përgjegjësia për emërimin formal dhe verifikimin e tyre bie mbi KQZ-në.
Në këtë rast, KQZ jo vetëm që ka dështuar të identifikojë konfliktin e qartë të interesit, por ka mundësuar që ai të institucionalizohet përmes emërimit zyrtar.
Një situatë e tillë nuk është thjesht një lëshim administrativ, por një cenim serioz i standardeve minimale të paanshmërisë që duhet ta karakterizojnë procesin e numërimit të votave.
Ligjërisht dhe institucionalisht, KQZ ka për obligim të sigurojë që procesi i numërimit të zhvillohet në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe të besueshme.
Lejimi i pjesëmarrjes së familjarëve të kandidatëve në rolin e numëruesve krijon jo vetëm perceptimin e konfliktit të interesit, por edhe terren real për abuzim të procesit, siç po hetohet tashmë nga Prokuroria.
Ky rast e rrënon seriozisht besimin e qytetarëve në procesin e numërimit të votave, veçanërisht në një kontekst ku zgjedhjet janë shoqëruar me rinumërime masive dhe dyshime të vazhdueshme për manipulime të votave mes kandidatëve në disa qendra numërimi.

/Periskopi/



