Dështon seanca në Apel ndaj të dënuarve me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi

Dështon seanca në Apel ndaj të dënuarve me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi

Në Gjykatën e Apelit ka dështuar të mbahet të hënën seanca për shqyrtimin e ankesave të mbrojtjes së të akuzuarve Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, të cilët janë të dënuar nga Themelorja me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhpi.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 28 maj 2025 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliut, duke i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, raporton “Betimi për Drejtësi”, transmeton Periskopi.

Përfaqësuesja e palës së dëmtuar- avokatja Dafina Osmani tha para Apelit se nuk kanë pranuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, për të dhënë përgjigje në ankesat e tyre brenda afatit ligjor.

Në këtë gjykim, për të akuzuarin Jeton Vllasaliu avokatë janë Florent Latifaj dhe Driton Musliu, ndërkaq për të akuzuarin Nexhat Vllasaliu, avokatët Kosovare Kelmendi dhe Shemsedin Piraj.

Kolegji i Apelit në këtë rast përbëhet nga kryetari Mentor Hajri, gjyqtarja referuese Kadrije Goga-Lubishtani dhe anëtar Xhevdet Abazi.

Për shkak se pala e dëmtuar nuk i ka pranuar ankesat e mbrojtjes së të akuzuarve, seanca e sotme dështoi dhe e radhës u caktua për në nëntor.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1.6 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Në aktakuzë thuhet se prej periudhës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, të pandehurit Vllasaliu në bashkëkryerjeje pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta të dëmtuarin Bedri Rexhepi, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore.

Të njëjtit, po ashtu ngarkohen me veprën penale “Dëmtim i varreve apo kufomave”, nga neni 413, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Shpërndaje në: