Dikur miq, sot armiq| Çfarë ndryshoi në raportet mes Berishës dhe Erdogan

Dikur miq, sot armiq| Çfarë ndryshoi në raportet mes Berishës dhe Erdogan

Nga selia e Partisë Demokratike, këtë të hënë Sali Berisha lëshoi akuza shumë të forta ndaj presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan.

“Dua të dënoj edhe njëherë me ashpërsinë më të madhe qëndrimin cinik, të ulët të Edi Ramës ndaj arsimit, ndaj shkollave private në Shqipëri. Ky vasal i shpifur i Erdogan, i presidentit të Turqisë, i cili e konsideron Shqipërinë si një vend ku mund të urdhërojë hapje dhe mbyllje shkollash, xhamish etj”, tha kreu i PD.

Por raporti Berisha-Erdogan nuk ka qenë gjithmonë i tillë.

Në kohën kur Sali Berisha ishte kryeministër i Shqipërisë, Erdogan ishte një mik i afërt. Ai merrte pjesë në inaugurime veprash të rëndësishme dhe Berisha e vizitonte shpesh në Ankara.

Në prillin e 2012-ës, kur Berisha shkoi për vizitë në Turqi me statusin e kryeministrit, pritja dhe fjalët që Erdogan rezervoi ndaj tij ishin shumë të ngrohta.

“Marrëdhëniet tona me Shqipërinë janë vëllazërore. Shqipëria është aleati ynë strategjik në Ballkan”, qe shprehur Erdogan në atë kohë.

Edhe fjalët me të cilat Berisha i kthehej Erdoganit ishin më shumë se sa miqësore.

“E theksuat ju, kemi lidhje gjaku. Çdo delegacion turk që unë takoj, pasi merr fund pjesa zyrtare, u shtroj një pyetje; Cili nga ju ka gjak shqiptarë ndër deje?” shprehej Berisha.

Përtej këtyre deklaratave, viti 2012 duket se ka qenë edhe momenti vendimtar që ka prishur pa kthim raportet Berisha-Erdogan.

Ishte vetë Berisha që zbuloi në 2018-ën një prapaskenë, që sipas tij kishte shkaktuar prishjen e marrëdhënieve me Erdoganin.

Dhe, nëse në vitin 2018 Berisha i kishte dalë kundër Erdoganit por vijonte ta respektonte, pas vitit 2021 duket se e humbi edhe respektin.

Më 17 janar të vitit 2022 Erdogan erdhi në Shqipëri dhe mbajti një fjalë në Parlament. Berisha mungoi në sallë dhe tregoi se përse kishte humbur respektin ndaj presidentit turk.

Sipas tij, Erdogan kishte ndërhyrë në zgjedhjet e 25 prillit në favor të Edi Ramës. Pas këtij momenti, Berisha ndërmori disa sulme ndaj Erdogan në lidhje me tentativat e tij për të ndërhyrë në zgjedhjet e Komunitetit Mysliman Shqiptar.

Shpërndaje në: