“Dimal Basha e ka shkelur Kushtetutën me devijimin e procedurës së propozimit të nënkryetarëve” – Vendimi i Kushtetueses, flasin avokatët
Pas aktgjykimit të tretë të Gjykatës Kushtetuese (KO265/25), i cili e shpall të pakonstituuar Kuvendin e Kosovës për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb, kanë ardhur reagimet e para nga njohës të së drejtës kushtetuese, shkruan Periskopi.
Avokatët Ardian Bajraktari dhe Xhevdet Smakiqi, në prononcimet e tyre për Periskopin, kanë vlerësuar se vendimi i Gjykatës tregon qartë se Kuvendi është në shkelje të Kushtetutës dhe se kryetari i tij, Dimal Basha, me shpalljen e konstituimit në seancën e fundit, ka vepruar në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe praktikat e vendosura që nga viti 2014.
Smakiqi ka hedhur akuza ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke e cilësuar si përgjegjësin kryesor për krizën institucionale që po kalon vendi.
“Siç e kemi theksuar, bllokada për moskonstituim të Kuvendit ka qenë e motivuar politikisht, nga egoja personale deri në plangprishje e një individi që është votuar më së shumti nga qytetarët më 09.02.2025, e që dihet – Albin Kurti,” – ka deklaruar Smakiqi.
Smakiqi kritikoi ashpër edhe sjelljen e kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, për mënyrën se si është devijuar procedura e votimit për nënkryetarët nga komunitetet jo-shumicë.
“Partia fituese dhe kryetari i saj i Kuvendit, Dimal Basha, e kanë shkelur Kushtetutën me devijimin e praktikës dhe procedurës së propozimit dhe votimit ndaras të nënkryetarëve të Kuvendit nga komunitetet jo-shumicë.”, u shpreh ai.
Ai paralajmëron se edhe pse Gjykata Kushtetuese ka dhënë një afat prej 12 ditësh për zgjedhjen e nënkryetarit serb, ky vendim nuk do të zbatohet dhe që sipas tij Kurti ka qëllime ogurzeza për ta zhbërë bazamentin e shtetit të Kosovës.
“Jam i bindur se ky aktgjykim nuk do të zbatohet nga kjo legjislaturë e mjerë, e çoroditur, e dorëzuar para anarkisë politike. Nuk do të respektohet afati 12-ditor – vetëm nëse ndodh ndonjë mrekulli. Tashmë krejt bota demokratike shtetet mike e sidomos liri-bërsja liri-garantusja SHBA, janë të bindur se Albin Kurti ka qëllime ogurzeza për ta zhbërë bazamentin e Republikës së Kosovës në emër të nacionalzimit falso kinse po e lufton Listën Serbe.”- ka thënë avokati Smakiqi për Periskopin.
Ndërsa avokati tjetër, Ardian Bajraktari ka komentuar për Periskopin vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket çështjes së konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke e quajtur atë të pritshëm.
“Sipas standardit të vendosur nga Gjykata që nga viti 2014, Kuvendi konsiderohet i konstituuar kur zgjidhen Kryetari dhe nënkryetarët,” ka deklaruar Bajraktari.
Ai ka theksuar se afati prej 12 ditësh për përfundimin e procesit nis të rrjedhë pas publikimit të vendimit në Gazetën Zyrtare, përkatësisht për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb. Sipas tij, propozimi duhet të vijë nga shumica e deputetëve të këtij komuniteti.
“Mbetet të shihet nëse deputetët do të reflektojnë në drejtim të përmbushjes së detyrimeve të tyre dhe sikurse i obligon Gjykata, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës, e konstituimi i Kuvendit sa më parë, është absolutisht në interes të Republikës,” tha ai për Periskopin.
Sipas Bajraktarit, mos përmbushja e këtij detyrimi brenda afatit të përcaktuar “është shkelje e aktgjykimit dhe e Kushtetutës, e që i mbetet Gjykatës të vendos për pasojat.”
Kujtojmë se ky është aktvendimi i tretë i Gjykatës Kushtetuese lidhur me seancën konstituive të Kuvendit, që nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Kosova ende mbetet pa institucione.
Vendimi i Gjykatës – Kushtetuesja nuk e njeh Dimal Bashën si kryetar të Kuvendit



