Distria Krasniqi e mbyll 2025-ën si e para në botë, zbulon çelësin suksesit
Distria Krasniqi e ka përmbyllur vitin 2025 në krye të renditjes botërore të xhudos, duke konfirmuar statusin e saj si atletja më e mirë e Kosovës.
Kampionia evropiane dhe finaliste e Kampionatit Botëror për seniorë këtë vit, e vlerëson sezonin si shumë të suksesshëm, pavarësisht sfidave gjatë rrugës.
“Ky vit ka qenë një vit i shkëlqyer për mua. Në çdo garë që kam marrë pjesë, kam qenë në podium”, ka thënë Krasniqi në një intervistë për EJU.
Xhudistja pejane ka theksuar se çelësi i suksesit është aftësia për të filluar gjithmonë nga e para, pavarësisht medaljeve të mëdha. “Nuk ka rëndësi nëse fitoj ari olimpik apo titull evropian, mundohem ta harroj dhe të jap njëqind për qind në çdo garë”, ka deklaruar ajo, duke nënvizuar edhe rolin vendimtar të trajnerit Driton Kuka në analizën e çdo detaji, raporton ksp.
Duke folur për të ardhmen, Distria Krasniqi ka bërë të qartë se motivimi i saj vjen nga dashuria për garën dhe jo nga presioni. “Përpiqem të mos mendoj për pritjet e të tjerëve. Ajo që ka rëndësi është të jem e kënaqur me performancën time”, ka thënë numri një në botë, e cila synon Kampionatin Evropian dhe Botëror si objektivat kryesorë të sezonit të ardhshëm./Periskopi/



