Djathtistët në Serbi me fushatë në Facebook kundër planit evropian

Djathtistët në Serbi me fushatë në Facebook kundër planit evropian

Që nga fillimi i vitit, partitë e djathta dhe politikanët në Serbi kanë investuar të paktën 7.000 euro në reklama në Facebook kundër planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një analizë e Radios Evropa e Lirë tregoi se janë paguar gjithsej 48 reklama kundër këtij plani.

Reklamat me pagesë kundër planit evropian u shfaqën midis 8.1 dhe 9.4 milionë herë në Facebook dhe Instagram, kryesisht për audiencën mashkullore.

Reklamat u publikuan në faqet në Facebook të lëvizjes së djathtë Dveri, liderit të kësaj lëvizje Boshko Obradoviq, liderit të Partisë së Re Demokratike të Serbisë (Novi DSS) Milosh Jovanoviq, Lëvizjes për Rivendosjen e Mbretërisë së Serbisë (POKS), si dhe faqen e POKS Beçej, e cila është degë e POKS-it.

Dveri, POKS dhe Novi DSS janë tri nga katër partitë parlamentare që organizuan protesta në mars, ku kërkuan refuzimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Reklamat me pagesë në rrjetet sociale ndodhin në momentin kur është duke u pranuar Marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilën partitë e djathta e kundërshtuan – si në rrjetet sociale ashtu edhe në rrugë.

Marrëveshja u pranua për herë të parë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fund të shkurtit në Bruksel, dhe për Aneksin për zbatimin e Marrëveshjes u pajtuan më 18 mars në Ohër.

Shuma e saktë nuk dihet, pasi Meta, kompania amë e rrjeteve sociale Facebook dhe Instagram, tregon vetëm rangun në të cilin është shuma e shpenzuar.

Bojan Perkov, studiues në fondacionin joqeveritar të Beogradit, SHARE, i cili merret me monitorimin e të drejtave digjitale të qytetarëve në Serbi, thotë për Radion Evropa e Lirë se, duke pasur parasysh se këto janë shifra tentative, mund të shtrohet pyetja se sa transparente janë në fakt pagesat e reklamave që bëhen në Facebook.

Megjithatë, ai thekson se kushdo që dëshiron të paguajë reklamat politike përmes platformës Meta, duhet të regjistrohet në atë sistem dhe t’i nënshtrohet një lloj verifikimi.

“Te disa aktorë politikë, parti e kështu me radhë, mund të shihet emri i politikanit konkret ose emri i partisë politike që sponsorizon reklamat, gjë që konfirmon disi që reklama ka kaluar në sistem dhe është verifikuar, d.m.th. është miratuar nga Meta dhe i sistemit i tij”, shpjegon Perkov.

Nga kompania Meta thonë për Radion Evropa e Lirë se reklamat e partive të djathta që mohojnë ekzistencën e Kosovës si shtet nuk i shkelin udhëzimet e tyre.

 

Shpërndaje në: