Do të tentohet të sigurohet dëshmia e një dëshmitari përmes Gjykatës së Shkupit, ndërpritet seanca në rastin “Banjska”
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën është ndërprerë seanca ndaj të tre akuzuarve lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq. Gjykata do të provojë të sigurojë dëshminë e dëshmitarit Goran Tanevski përmes Gjykatës së Shkupit.
Në këtë seancë, seancë u pranua propozimi për dëgjimin e dëshmitarit Millosh Radosavleviq, si dhe u vendos të lexohet procesverbali i marrjes në pyetje të dëshmitares Dragana Antijeviq.
Sipas agjendës, në seancën e së mërkurës ishte planifikuar të dëgjohet dëshmitarja Dragana Antijeviq, për të cilë, gjykatësi Arben Hoti tha se dy herë radhazi ftesën e ka pranuar babai i saj, dhe ka njoftuar se ajo gjendet në Serbi, raporton “Betimi për Drejtësi“, transmeton Periskopi
Prokurori Naim Abazi propozoi që të lexohet deklarata e dëshmitares Antijeviq, me arsyetimin se është thirrë vazhdimisht, por ka refuzuar të pranojë ftesën, duke shprehur qartë vullnetin e saj për të mos dësmuar pa arsye ligjore për ta justifikuar.
Abazi tha se edhe Kodi i Procedurës Penale e parasheh që në rastet kur dëshmitarët pa arsye ligjore nuk dëshirojnë të dëshmojnë, të lexohen procesverbalet mbi deklaratat e tyre të mëparshme.“Në aspektin procedural janë plotësuar kushtet, pasi ajo ka dhënë deklaratë në Prokurori dhe janë plotësuar kushtet për të zbatuar këtë procesverbal të mbrojtjes sipas nenit 239 të Kodit të Procedurë Penale, duke respektuar parimin e barazisë së armëve në kupim të mbrojtjes”, tha prokurori Abazi.
Andaj, prokurori i propozoi Gjykatës që deklarata e dëshmitares Antijeviq të lexohet dhe e njëjta të administrohet si provë e drejtpërdrejtë në këtë proces gjyqësor.Përfaqësuesi i të dëmtuarit Alban Rashiti, avokati Naim Rudari e mbështeti propozimin e prokurorit Abazi.
Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Spasojeviq, avokati Lubomir Pantoviq tha se deklarata e dëshmitares në fjalë është plotësisht jorelevante dhe s’ka të bëjë me të mbrojturin e tij.“Ajo deklaratë ka të bëjë me kontestin e përgjithshëm të ngjarjes, nga këndi i kësaj dëshmitareje. Prandaj, unë nuk e kundërshtoj propozimin e prokurorit”, tha Pantoviq.
Edhe mbrojtësja e të akuzuarit Maksimoviq, avokatja Jovana Filipoviq, tha se konsiderojnë se nuk është relevante ajo dëshmi, sidomos me të mbrojturin e saj.Ajo tha se propozojnë që të dëgjohet ajo dëshmitare në këtë gjykim dhe se është obligim i prokurorit të sigurojë dëshmitarët e propozuar. Tha se Dragana Antijeviq ka qenë punëtore e “Ranjska Banjska”.
Kurse, mbrojtësi i Toliq, avokati Millosh Deleviq tha se ia lë gjykatës të vendos.Më pas, trupi gjykues mori vendim që të aprovohet propozimi i prokurorit Abazi për leximin e dëshmisë së dëshmitares Antijeviq, duke thënë se ky propozim është i bazuar në nenin 335, par.1, nënpar. 1.1 të Kodit të Procedurës Penale.
Gjykatësi Hoti theksoi se është bërë përpjekje të sigurohet kjo dëshmitare, por që nuk gjendet në territorin e Republikës së Kosovës. Andaj, në këto rrethana, lexohet procesverbali i marrjes në pyetje të asaj dëshmitareje.Edhe për dëshmitarin Goran Tanevski, gjykatësi Hoti tha se Gjykata ka bërë përpjekje për t’u lidhur përmes video-linkut me Gjykatën e Shkupit, mirëpo ata kanë thënë se nuk kanë pajisje, duke e lënë mundësinë për një herë tjetër. Andaj, kjo çështje mbetet pezull.
Po ashtu, në seancë u tha se nga avokatja Jovana Filipoviq është pranuar një parashtresë për një dëshmitar, të cilin Prokuroria e ka pranuar me kohë.Prokurori Abazi tha se kanë pranuar një e-mail lidhur me një dëshmitar, por që konsideron që është në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale, sepse pas konfirmimit të aktakuzës dhe atatit të Gjykatës, mbrojtja ka qenë e detyruar t’ia paraqesë Prokurorisë dhe Gjykatës dëshmitarët që synon t’i thërrasë. Tha se propozimi është bërë me vonesë.
Sipas prokurorit, pranimi i këtij propozimi do të cenonte parimin e barazisë së palëve në procedurë. Tha se ky dëshmitar nuk kontribuon në zbardhjen e gjendjes faktike, por ka për qëllim zvarritjen e procedurës. Andaj, i propozoi Gjykatës të refuzojë propozimin e avokates Filipoviq.Në anën tjetër, avokatja Filipoviq tha se ky dëshmitar është propozuar pas dëgjimit të dëshmitarit Rade Nedelkoviq dhe se vërejtja e prokurorit nuk qëndron.
Ajo tha se nuk është çështje e prokurorit se cilat prova shkojnë në favor të mbrojtjes dhe shtoi se qëndrojnë pranë propozimit që të dëgjohen të gjithë dëshmitarët e propozuar.Megjithatë, prokurori Abazi sërish tha se mbrojtja nuk ka arritur t’i përmbush afatet.
Më pas, trupi gjykues mori aktvendim me të cilin aprovoi propozimin e avokates Filipoviq që të dëgjohet si dëshmitar Millosh Radosavleviq, me arsyetimin se dispozita e cekur nga prokurori nuk e ndalon gjykatën që edhe në këtë fazë të procedurës të pranojë prova shtesë.Gjykatësi Hoti tha se meqenëse u pranua propozimi i mbrojtjes dhe mbetet të vendoset për dëshmitarin Tanevski, Gjykata deri në seancën e radhës do të provojë të sigurojë dëshminë e atij dëshmitari përmes Gjykatës së Shkupit.
Në këto rrethana, në mungesë të kushteve për të vazhduar, kjo seancë u ndërpre ndërkaq e radhës pritet të mbahet më 16 janar 2026.Kujtojmë se seanca e 27 tetorit 2025 ishte anuluar për shkak se Gjykata e Shkupit nuk ishte e gatshme me pajisje për dëgjimin e dëshmitarit.
Gjykata Themelore në Prishtinë pas propozimit të prokurorit special Naim Abazi që gjykimi të vazhhdojë në mungesë, i ishte drejtuar Gjykatës Supreme për të kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska” mund të aplikohet gjykimi në mungesë. Por, Supremja, pas shqyrtimit të kërkesës “për dhënie të mendimit juridik përkitazi me nenin 303 par.7 të Kodit Procedurës Penale në rastin “Banjska”, kishte sqaruar se nuk jep mendime juridike për dilemat që ka shkalla e parë gjatë procedimit të rastit.
Kështu, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka refuzuar propozimin që gjykimi për 42 të akuzuarit tjerë (41 persona fizikë dhe një person juridik) të akuzuar për sulmin terrorist në “Banjskë” të vazhdojë në mungesë. Gjykata po ashtu kishte bërë të ditur që për këta të pandehur është lëshuar letërreshtim ndërkombëtar dhe pritet ndalimi dhe ekstradimi i tyre për zhvillimin e procedurës ndaj tyre.
Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të tre akuzuarve në rastin “Banjska”: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, u mbajt më 17 prill 2025, në të cilën tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Ndërsa, prokurori special Naim Abazi, mbrojtja e të akuzuarve dhe pala e dëmtuar, kanë dhënë fjalën hyrëse.Edhe në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024, tre të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin e 6 dhjetorit 2024, i kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve të lartpëmendur kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Kurse, Gjykata e Apelit më 13 mars 2025 njoftoi se ka marrë vendim, me të cilin e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilën u konfirmua aktakuza ndaj të akuzuarve në rastin “Bajska”.
Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët është veçuar procedura penale.Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon 44 persona fizikë dhe një person juridik “RAD D.O.O”. Listës së të akuzuarve i prin Milan Radoiçiq.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.
Aktakuzën e plotë mund ta gjeni: KËTU.Në Bajsnkë të Zveçanit, në orët e hershme të 24 shtatorit 2023, ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe ishin plagosur dy të tjerë. Pastaj, të vrarë kishin mbetur edhe tre sulmues, kurse të tjerët ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës. Milan Radoiçiq e kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist.



