Doganierët gjermanë shkatërrojnë rrjetin që eksportonte mallra për industrinë ushtarake ruse
Zyrtarët doganorë gjermanë kanë arrestuar pesë burra nën dyshimin për shkelje të embargos së Bashkimit Evropian duke eksportuar mallra industriale te prodhuesit rusë të armëve.
Sipas hetimit deri më tani, të dyshuarit kanë organizuar rreth 16,000 dërgesa në Rusi dhe vlera e transaksioneve të paligjshme vlerësohet në të paktën 30 milionë euro, tha Zyra e Prokurorit Federal të Shtetit Gjerman, shkruan Politico.
Arrestimet vijnë ndërsa autoritetet në Kiev u bëjnë thirrje udhëheqësve evropianë të shtojnë luftën kundër eksporteve të mallrave industriale dhe pjesëve që Rusia mund t’i përdorë për të prodhuar armë në luftën e saj kundër Ukrainës. Midis pesë të arrestuarve janë dy me shtetësi të dyfishtë gjermano-ruse dhe një me shtetësi të dyfishtë gjermano-ukrainase.
Në qendër të hetimit është një kompani tregtare nga qyteti verior gjerman i Lübeckut, në pronësi të një të dyshuari të identifikuar si Nikita S. “Që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022, ai dhe të pandehur të tjerë e kanë përdorur vazhdimisht kompaninë për të siguruar mallra për industrinë ruse dhe për t’i eksportuar ato në Rusi”, thonë prokurorët.
“Për të fshehur aktivitetet e tyre, të pandehurit përdorën të paktën një kompani tjetër fasadë në Lübeck, blerës të rremë brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian, dhe një kompani ruse si marrëse, në të cilën Nikita S. mban gjithashtu një pozicion përgjegjës”.
Prokurorët pretendojnë se përdoruesit fundorë të mallrave të eksportuara ishin të paktën 24 kompani nga sektori rus i mbrojtjes. Deklarata shtoi se agjencitë qeveritare ruse dyshohet se mbështetën prokurimin. Sipas një raporti nga transmetuesi publik ARD, eksportet përfshinin, ndër të tjera, komponentë mekanikë dhe teknikë për prodhimin e armëve ruse, të tilla si kushineta me sfera dhe pajisje gjysmëpërçuese./Periskopi/



