‘Donin ta vrisnin’, zbulohen detajet e plagosjes së rëndë të babait të Yamal-it
Mounir Nasraoui, babai i futbollistit spanjoll Lamine Yamal, u bë i njohur publikisht pas ngjarjes së 14 gushtit 2024, kur u sulmua me thikë në qytetin Mataró.
Ai përfundoi në spital me tri plagë të rënda, që e lanë për disa ditë në gjendje kritike.
Hetimet për incidentin nisën menjëherë për të sqaruar shkaqet e konfliktit dhe tani janë bërë publike detaje të reja.
Sipas të dhënave gjyqësore, sherri ndodhi në një rrugë të lagjes Rocafonda dhe përfundoi me plagosjen e Nasraoui-t.
Ai u paraqit disa ditë më parë në Gjykatën Hetuese nr. 3 të Mataró, jo si viktimë, por si i akuzuar, pasi mbrojtja e agresorit pretendon se ky i fundit veproi pasi i mori thikën njërit prej miqve të Nasraoui-t dhe u qëllua me grusht, duke pësuar frakturë të hundës.
Sipas dokumenteve të hetimit, në të cilat ka pasur qasje ‘La Vanguardia’, ngjarja ndodhi pasi dy vëllezër, babai i tyre dhe një mik i familjes po prisnin Mounir Nasraoui-n në parkingun e fushës së futbollit në Rocafonda.
Gjithçka nisi nga një kovë me ujë
Fillimi i konfliktit ishte banal: ndërsa Nasraoui po ecte vetëm në rrugën ‘Frank Marsha’, një fëmijë që po luante në katin e tretë të një ndërtese i hodhi ujë nga dritarja.
Ai u lag, dhe pak më vonë, familjarët e fëmijës zbritën në rrugë, ku ndodhi përplasja e parë verbale.
“Kështu nuk bëhet! Po ecja qetë dhe më hedhin gjëra nga dritarja. Ose e rregullon një avokat i mirë ose do ta rregullojmë ndryshe,” – u shpreh Nasraoui para policëve.
Më pas, ai u takua me dy miq nga Mataró në Barcelonë dhe natën u kthyen në parkingun e fushës së Rocafondës, vend ku ndodhi sulmi.
Sipas dëshmive, agresorët kishin me vete një thikë mbrojtëse të palosshme dhe një gur të madh.
“Mounir filloi të vraponte, ai që kishte thikën e ndoqi dhe e goditi. E shpoi dy ose tri herë në gjoks dhe në brinjë,” – ka deklaruar një dëshmitar.
Një nga miqtë e Nasraouit dëshmoi se:
“Donin ta vrisnin. Njëri prej tyre kishte thikën dhe filloi ta godiste si i tërbuar. I shkonte drejt për ta vrarë.”
Agresori kryesor u dënua në dhjetor 2024, por është liruar me kusht dhe vazhdon të mbrojë versionin e tij, duke pretenduar se ai dhe familja e tij ishin viktimat, jo sulmuesit, në konfliktin me babanë e Lamine Yamal./Periskopi/



