Dosjet Epstein: Këshilli i Evropës i heq imunitetin ish-sekretarit të Përgjithshëm
Këshilli i Evropës, organizata kryesore e kontinentit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ka njoftuar të mërkurën se ka rënë dakord t’ia heqë imunitetin diplomatik ish-sekretarit të tij të Përgjithshëm norvegjez, Thorbjoern Jagland, duke i hapur rrugë policisë për të hetuar lidhjet e tij të mundshme me Jeffrey Epstein.
Policia norvegjeze për krimet ekonomike ka nisur një hetim ndaj Jagland, ish-kryeministër dhe ish-ministër i Jashtëm, si dhe ish-kryetar i Komitetit të Çmimit Nobel për Paqen, nën dyshimin për korrupsion të rëndë.
Vendimi për ta hetuar Jagland, i cili ishte sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës nga viti 2009 deri në 2019, u bazua në informacione të zbuluara nga dosje të reja të publikuara lidhur me Epstein, i dënuar për abuzim seksual në SHBA, i cili vdiq në burg në vitin 2019.
Avokati i Jagland, Anders Brosveet, ka thënë se vendimi për heqjen e imunitetit ishte i pritshëm dhe se klienti i tij do të bashkëpunojë me organet hetuese për të sqaruar të gjitha çështjet.
“Ai e merr këtë çështje shumë seriozisht, por dëshiron të theksojë se beson se nuk ekzistojnë rrethana që përbëjnë përgjegjësi penale”, ka thënë Brosveet në një deklaratë.
Për të zhvilluar hetimin policor, ishte e nevojshme heqja e imunitetit të Jagland, dhe ministria e Jashtme e Norvegjisë ka thënë se u kishte kërkuar 46 vendeve anëtare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës ta miratonin këtë hap.
Jagland nuk është akuzuar zyrtarisht për ndonjë krim, por hetimi ndaj tij synon të zbulojë nëse ai ka marrë dhurata, apo hua në lidhje me pozicionin e tij, kanë bërë të ditur autoritetet.
“Nëse Jagland, si sekretar i Përgjithshëm i zgjedhur i Këshillit të Evropës, do të kishte marrë ryshfet, ai do të kishte shkelur besimin e veçantë që lidhet me detyrën e tij,” thuhet në një letër të policisë norvegjeze të datës 8 shkurt, drejtuar Këshillit për heqjen e imunitetit.
Publikimi i një sërë dosjesh të reja në SHBA ka zbuluar lidhje të reja të Epsteinit me politikanë, anëtarë të familjeve mbretërore dhe persona shumë të pasur në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.
Dosjet tregojnë, ndër të tjera, se në vitin 2014 Jagland dhe ndihmësit e Epsteinit kishin bërë plane të detajuara që Jagland, bashkëshortja e tij, dy fëmijët dhe e dashura e djalit të tij, të vizitonin Epstein në Palm Beach dhe në ishullin privat të tij në Karaibe.
Jagland, në atë kohë sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, ka mohuar se ka vizituar ndonjëherë ishullin privat të Epsteinit.
Sipas një emaili të vitit 2014, ai i kishte kërkuar ndihmë Epsteinit për financimin e një apartamenti në Oslo, raporton Koha, transmeton Periskopi
Emaile nga viti 2018 tregojnë se Epsteini i kishte kërkuar Jaglandit të organizonte një takim mes tij dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, duke thënë se kishte ide për t’ia paraqitur presidentit Vladimir Putin. Jagland kishte premtuar se do ta ngrinte çështjen me ndihmësin e Lavrovit.
Policia norvegjeze ka thënë të hënën se po heton gjithashtu dy diplomatë të profilit të lartë në një hetim tjetër për korrupsion të lidhur me Epsteinin, ndërsa princesha e kurorës së Norvegjisë ka kërkuar falje disa herë për miqësinë e saj me financierin e ndjerë.



