Drejtori i Infektivës: Jemi në fillimin e një vale të re

Periskopi.com Lajme

Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj, ka thënë se të vaksinuarit edhe nëse infektohen me Covid-19 manifestojnë një formë klinike më të lehtë.

Madje, doktor Vishaj tha se pasojat që lenë virusi te njerëzit janë të riparueshme ndërsa për disa duhet kohë më e gjatë pas trajtimit.

“Të vaksinuarit i kemi vërejtur se edhe nëse infektohen ata manifestojnë një formë klinike më të lehtë dhe qëllimi i vaksinës është që të mos ndodh infeksioni. Por edhe nëse ndodh që të manifestohet forma me kuadër klinik më të lehtë dhe të parandalohet spitalizimi dhe forma shumë e rëndë e sëmundjes”.

“Pasojat që lënë virusi disa janë të riparueshme për një kohë më të shpejtë disa duhet kohë më e gjatë dhe ne jemi të bindur se me vaksinim këto pasoja do të jenë të një niveli më të ulët. Dashtë Zoti të mos rritet numri i vdekjeve. Ne veç jemi në fillimin e një vale të re”.

Megjithatë, ai theksoi se Kosova po përballet me një valë të re të variantit Omicron, duke shtuar se duhet të respektohen masat e jo të shkohet drejt mbylljes.

“…ajo që është në kompetencën tonë është që të organizohemi sa më mirë të jetë e mundur duke aktivizuar të gjitha resurset tona qoftë material qoftë në njerëz në mënyrë që të përballemi me këtë sfidë e cila është shumë e rëndë për të gjithë sistemin shëndetësor. Unë asnjëherë nuk pëlqej fjalën mbyllje, por respektim të masave të parandalimit të infeksionit”, tha Vishaj.

Ndryshe, rritja rekorde e rasteve me koronavirus gjatë ditëve të fundit, ka bërë që Qeveria e Kosovës të ashpërsojë masat anti-Covid. Këto masa do të hyjnë në fuqi nga sot dhe do të jenë të vlefshme deri më 4 shkurt.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, masat e reja përfshijnë kufizim të lëvizjes (prej orës 22:00 deri në orën 05:00), kufizim të orarit të punës për gastronominë (lejohet puna vetëm deri në orën 21:00), si dhe ashpërsim të rregullave për hyrje në vend.

“Vendimi për masat kundër COVID-19 është bazuar në vlerësimin e situatës së intensitetit të përhapjes dhe kapacitetit të sistemit shëndetësor për t’u përgjigjur, por duke i vlerësuar ato edhe nën dritën e efekteve të këtyre masave që mund të ketë në mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë dhe individëve” është arsyetimi i Qeverisë për këtë vendim.