Drita jeshile për Kosovën në Asamblenë Parlamentare – Asociacioni, pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës

Drita jeshile për Kosovën në Asamblenë Parlamentare – Asociacioni, pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës

Të martën, Republikës së Kosovës, iu dha dritë jeshile për anëtarësim në organizatën e rëndësishme evropiane, Këshillin e Evropës.

Për votuan 131 deputetë, kundër ishin 29, kurse 11 abstenuan.

Fillimisht pati debate gati dy orë mes deputetëve të shteteve anëtare, nga të cilët kishte edhe kundërshtime.

Deputetët nga Franca thanë se do të ishte mirë që Kosova të bëjë hapat e parë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe para votimit final të ministrave në maj.

Serbia kishte dërguar amandamente për të kundërshtuar hapat e anëtarësimit të Kosovës në KiE.

Përmes tyre, kërkohej që Kosova të mos pranohet në Këshillin e Evropës derisa Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të mos vendosë për statusin e Kosovës.

Serbia po ashtu kërkoi që në vazhdim të procesit, Kosovës t’i vihet si kusht themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Por të gjitha amandamentet, një nga një u hodhën poshtë.

Raportuesja për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, gjatë seancës tha se Kosova është demokraci funksionale parlamentare me garanci të forta për pavarësinë e gjyqësorit dhe të drejta themelore të njeriut.

Ajo ka përmendur tri çështje që i ka konsideruar më problematike për t’u zgjidhur, atë për Manastirin e Deçanit, shpronësimin dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Gjatë angazhimit tim në këtë dosje të gjitha palët shtetërore më kanë paralajmëruar se nuk mund të pritet ndonjë progres në asnjë prej këtyre çështjeve të përmendura. Por, me një punë persistente progresi real është vërejtur. Asambleja Parlamentare kas arritur ta zgjidhë atë që është identifikuar një prej rasteve më të rëndësishme të shkeljeve të së drejtës, implementimi i vendimit të Kushtetueses që do t’i kthente pronën Manastirit”, ka thënë ajo.

Pas kësaj, përfaqësuesja e Serbisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Biljana Pantiq, e ka quajtur hipokrite raportuesen për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis.

“Znj. Bakoyannis dua t’ju uroj për atë që po e bëni sot sepse do të shënoheni në histori si dikush që në mënyrën më brutale ka shkelur të gjitha normat e të drejtës ndërkombëtare. Keni thënë qartë që e ashtuquajtura Kosovë duhet të plotësojë tre kushte për të pasur opinion pozitiv”.

“E para dhe kushti më fondamental ka qenë themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Themelimi i Asociacionit është parakusht themelor i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Nëse ftoni të ashtuquajturën Kosovë në Këshillin e Evropës pa themelimin e Asociacionit, ai nuk do të themelohet kurrë. Keni qenë ju që keni thënë: Themelimi i Asociacionit konsiderohet kusht i domosdoshëm për mbrojtjen efektive të pakicave kombëtare dhe të drejtave të tyre. Ju keni demonstruar se nuk keni integritet dhe jeni hipokrite”, ka theksuar ajo.

Pas votimit, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE) përmes një komunikate njoftoi se ka vendosur të monitorojë përmbushjen e një liste të gjerë të zotimeve dhe detyrimeve që nga anëtarësimi i saj.

Sipas procedurave të Këshillit të Evropës, Asambleja duhet së pari të japë opinionin e saj për çdo kërkesë për anëtarësim përpara se të merret një vendim përfundimtar nga Komiteti i Ministrave, organi ekzekutiv i organizatës i përbërë nga Ministrat e Jashtëm.

Në Opinionin e tij statutor, bazuar në një raport të Dora Bakoyannis (Greqi) dhe miratuar me 131 vota pro dhe 29 kundër dhe 11 abstenime, Asambleja tha se anëtarësimi do të çonte në “forcimin e standardeve të të drejtave të njeriut duke siguruar akses në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut për të gjithë ata që janë nën juridiksionin e Kosovës”.

Do të ishte “kulmi i një dialogu që është zhvilluar në një hark kohor prej dy dekadash, por në asnjë mënyrë nuk duhet parë si fundi i një procesi. Përkundrazi, anëtarësimi duhet të katalizojë momentin që Kosova të vazhdojë të bëjë progres në forcimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit”.

Anëtarësimi gjithashtu do të ndihmonte Kosovën që të “adresojë sfidat e jashtëzakonshme dhe çështjet shqetësuese”, theksuan parlamentarët, duke përfshirë hendekun midis standardeve normative dhe zbatimin e tyre efektiv, nevojën për të mbrojtur më mirë të drejtat e komuniteteve joshumicë dhe nxitjen e një klime të favorshme. Për besimin, pajtimin dhe përfshirjen.

Asambleja e përshëndeti si “një përparim të madh” zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin e Manastirit të Deçanit, për të cilin tha se ishte “një shenjë e prekshme e përkushtimit të qeverisë për të vepruar në përputhje të plotë me sundimin e ligjit. pavarësisht nga konsideratat politike”.

Themelimi i një Asociacioni të komunave me shumicë serbe do të ishte “një hap i rëndësishëm” për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të serbëve të Kosovës, dhe “duhet të përfshihet në shqyrtimin e ardhshëm nga Komiteti i Ministrave të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, si një angazhim pas anëtarësimit”.

Duke pranuar “rrethanat e paprecedentë” të aplikimit, duke pasur parasysh se një numër i shteteve anëtare të Këshillit të Evropës nuk e njohin Kosovën si shtet, Kuvendi bëri thirrje për “diplomaci, dialog dhe kompromis”. Asambleja ftoi Komitetin e Ministrave që të sigurojë që anëtarësimi i Kosovës të jetë “pa paragjykuar qëndrimet e shteteve anëtare individuale në lidhje me shtetësinë e Kosovës”.

Këshilli i Evropës – ku Kosova ka aplikuar për anëtarësim më 2022 – është organizatë lidere në Evropë në fushën e të drejtave të njeriut.

Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit.

Një prej përfitimeve direkte të qytetarëve të Kosovës nga anëtarësimi eventual në Këshillin e Evropës do të jetë qasja në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut [GJEDNJ].

Kjo Gjykatë – me seli në Strasburg – konsiderohet një prej mjeteve juridike më efektive në gjithë Evropën.

Ajo do të mund të jetë një derë e re që hapet për shtetasit e Kosovës, dhe për Kosovën si shtet, nëse një palë beson se është trajtuar padrejtësisht në proceset paraprake gjyqësore.

Shpërndaje në: