Dy kinezë kapen në Rinas me valixhe të mbushura me drogë nga Tajlanda
Dy shtetas kinezë janë arrestuar nga autoritetet shqiptare në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, pasi tentuan të fusnin në territorin shqiptar rreth 61 kilogramë lëndë narkotike, e dyshuar si kanabis me përqindje të lartë të substancës aktive THC.
Siç njofton Policia e Shtetit, lënda narkotike ishte e ndarë në 120 pako dhe u zbulua në katër valixhe udhëtimi që kishin mbërritur me një fluturim nga Tajlanda, me tranzit në Emiratet e Bashkuara Arabe, e kamufluar në ambalazhimin e frutave ekzotike Duran.
Autoritetet shqiptare ishin sinjalizuar më parë nga partnerë ndërkombëtarë për këtë ngarkesë, çka mundësoi ndërhyrjen në kohë reale dhe arrestimin e shtetasve të huaj Ye Guozheng dhe Chen Jian.
Ngarkesa u sekuestrua dhe çështja i është referuar strukturave të Antidrogës së Tiranës, përcjell Periskopi.
Hetimet vazhdojnë për të identifikuar destinacionin përfundimtar të drogës, si dhe rrjetin kriminal që mund të qëndrojë pas këtij rasti të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.



