Dyshime për ndërhyrje politike nga ministrja në detyrë Rozeta Hajdari në tenderin 3 milonësh
Tenderi për ndërtimin e infrastrukturës në Parkun Industrial në Livadicë të Podujevës, me vlerë mbi 3 milionë euro, dyshohet se u shoqërua me ndërhyrje politike nga ministrja në detyrë Rozeta Hajdari, largim të zyrtarëve të prokurimit nga puna, pezullim të aktivitetit për më shumë se 40 ditë dhe përplasje procedurale për zbatimin e vendimit të OSHP-së. Tenderi iu dha një operatori ekonomik që plotësonte kriteret, por kjo nuk e “kënaqi” Rozeta Hajdarin, që parapëlqente një operator tjetër.
Gjithçka nisi me zhvillimin e tenderit me vlerë 3,118,295.60 euro për ndërtimin e infrastrukturës në Parkun Industrial në Livadicë të Podujevës, i cili u shoqërua me ankesa nga operatorët ekonomikë pjesëmarrës.
Si rezultat, rasti përfundoi në OSHP, ku pas shqyrtimit të provave, dokumentacionit dhe qëndrimeve të palëve, u konstatuan shkelje procedurale dhe trajtim jo i barabartë i operatorëve nga ana e autoritetit kontraktues. OSHP vendosi të anulohet njoftimi mbi vendimin për dhënien e kontratës dhe urdhëroi kthimin e aktivitetit në rivlerësim, pa e anuluar tërësisht tenderin.
Fillimisht, Ministria kishte rekomanduar për kontratë grupin e operatorëve “Invest Pro SH.P.K., Nika Pro-ing SH.P.K. dhe NNT Bini SH.P.K.”, por ky vendim u rrëzua nga OSHP për mungesë të përmbushjes së kritereve dhe shkelje në vlerësim. Një tjetër operator ekonomik, “Ibrahim Kurrumeli B.I.”, u përjashtua si palë për shkak se ankesa e tyre ishte trajtuar më parë dhe konsiderohej juridikisht çështje e mbyllur apo res judicata.
Sipas burimeve të sigurta të Periskopit, ministrja në detyrë Rozeta Hajdari dyshohet se kishte rekomanduar që një operator i caktuar të shpërblehej me kontratë, por një gjë e tillë ishte e pamundshme për shkak të vendimit të OSHP-së.
Udhëheqësi i atëhershëm i prokurimit në MINT, Bexhet Asllanaj, kishte refuzuar ta zbatonte këtë kërkesë politike, duke u mbështetur në vendimin e organit mbikëqyrës.

Rezistenca e tij u pasua me ngritjen e një komisioni disiplinor që drejtohej nga Elma Krasniqi, ish-asistente politike e Albulena Haxhiut dhe aktualisht Kryeinspektore e Inspektoratit të Tregut në MINT, pozitë që, sipas burimeve, mban në kundërshtim me Ligjin për Nëpunësit Civil.
Përmes këtij komisioni, Asllanaj u largua nga puna dhe nga 15 prilli 2025 MINT mbeti pa udhëheqës të prokurimit. Në këtë periudhë, të gjitha aktivitetet e reja të prokurimit u pezulluan, ndërsa procedurat e përfunduara mbetën pa u nënshkruar.
Pas më shumë se një muaji paralize të plotë, më 27 maj 2025, në krye të Zyrës së Prokurimit në MINT u emërua Burim Guri.

Ai rifilloi menjëherë procesin dhe e zbatoi vendimin e OSHP-së, duke rivlerësuar tenderin dhe shpërblyer me kontratë Grupin e Operatorëve Ekonomik “Pro & Co Group SH.P.K. dhe NNT ABC SH.P.K.” me çmim të përgjithshëm 3,118,295.60 euro.


Kjo lëvizje nuk u prit mirë nga Ministrja Hajdari, e cila, sipas burimeve të Periskopit, vendosi që edhe Gurin ta përballte me komision disiplinor, siç kishte vepruar me paraardhësin e tij.
Por ndryshe nga rasti i mëparshëm, Burim Guri reagoi me një letër zyrtare drejtuar ministres Hajdari, në të cilën, sipas burimeve, përshkroi të gjitha ndërhyrjet politike dhe presionet që kishte marrë.
Ai paralajmëroi se në rast të ndëshkimit të pajustifikuar, do të depononte të gjitha provat dhe komunikimet në Prokurori për hetim penal.
Pas këtij hapi, Ministrja Hajdari është tërhequr nga iniciimi i komisionit disiplinor ndaj Guri dhe ka ndalur përpjekjet për largimin e tij nga detyra.
Periskopi ka dërguar pyetje në MINT për arsyen e largimit të ish-drejtuesit të Zyrës së Prokurimit në MINT, Bexhet Asllanaj, si dhe “largimi nga puna a ishte shkak tenderi për ndërtimin e parkut industrial në Podujevë”.
Mediumi ka pyetur MINT se “Cila është arsyeja që u.d. i tanishëm i Prokurimit, Burim Guri është vendosur të dërgohet në komisionin disiplinor”? Por, ky institucion nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij teksti./Periskopi/



