E intervistoi, Rozeta Hajdari lëshohet fort në akuza ndaj prokurorit Special

E intervistoi, Rozeta Hajdari lëshohet fort në akuza ndaj prokurorit Special

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka reaguar me tone të ashpra pas intervistimit të saj nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, duke ngritur akuza serioze ndaj prokurorit të çështjes, Valdet Gashi, për shkelje ligjore dhe konflikt interesi, shkruan Periskopi.

Hajdari është thirrur për të dhënë deklaratë lidhur me dallaveret e  rezervave shtetërore të mallrave.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka siguruar rezervën shtetërore të mallrave, në kohën kur ishim të pambrojtur në këtë aspekt… Si çështje e sigurisë publike, e ashtu siç e kërkon ligji, ky proces u klasifikua si sekret shtetëror,” – tha ministrja në detyrë.

Ajo pretendon se dy hetues policorë, pa certifikatë sigurie të nevojshme për të pasur qasje në dokumente të klasifikuara, kanë marrë materiale sekrete nga MINT brenda një ore, me autorizim të prokurorit Valdet Gashi.

“Në rastin e MINT, dy policë hetues pa çertifikatë të sigurisë, pra pa leje për qasje në këto dokumente, kanë marrë materialin brenda 1 ore në MINT, duke u thirrë në autorizimin e prokurorit të PSRK-së Valdet Gashi. Prokurori Valdet Gashi i ka liruar policët nga përgjegjësia. Edhe pse kemi të dokumentuar pranimin e tij që gjendet në konflikt interesi në këtë rast, ai sërish vendos ta mbyllë lëndën e nisur nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe kundërligjshëm liron nga përgjegjësia penale shërbyesit e vet.”, ka thënë ajo në Facebook.

“Këtu jemi për të shërbyer e dhënë llogari për veprimet tona, por asesi nuk guxojmë, asnjëri prej nesh, e as Prokuroria Speciale e Kosovës, të shkelim ligjin në emër të drejtësisë.”- ka thënë ajo.

Shpërndaje në: