E tmerrshme: Gjimnazi “Hivzi Sulejmani” në Fushë-Kosovë nuk e pranoi nxënësin, veç pse është në karrocë

E tmerrshme: Gjimnazi “Hivzi Sulejmani” në Fushë-Kosovë nuk e pranoi nxënësin, veç pse është në karrocë

Karrigia e tij është brenda shkollës tash e dy javë, por jo edhe Florent Salihu. Kjo pasi që drejtoria e Shkollës së Mesme “Hivzi Sulejmani” në Fushë Kosovë nuk e pranoi aplikimin e tij për regjistrim.

E ëma e Florentit pretendon se drejtori i kësaj shkolle, Amir Pllana, më 23 shtator, i tha se shkolla nuk ka kushte të duhura për një fëmijë me nevoja të veçanta.

Madje, ajo thotë se Pllana rekomandoi që Florenti të shkojë në një shkollë speciale.

Pavarësisht kësaj, ajo thotë se do të vazhdojë të luftojë për të drejtën e të birit për shkollim, pasi që testet e logopedëve dhe psikologëve rezultuan se Florenti është i aftë për këtë nivel të shkollimit.

Ndonëse Pllana ishte ankuar për kushtet në shkollë, KIKS-i ka parë që shkolla ka pjerrinë dhe tri klasa të 10-ta janë në katin përdhesë të shkollës, aty ku gjendet edhe tualeti.

Pllana për këtë rast nuk është prononcuar, me arsyetimin se nuk gjendet në shkollë.

“Ju lutem, bisedoni me zëdhënësin komunal dhe DKA-në për këtë çështje, sepse nuk jam këndej pari”, thuhet në përgjigjen e tij.

Ndërkaq, nga Komuna e Fushë-Kosovës thonë se Florenti do të fillojë mësimin në këtë shkollë, por se fillimisht duhet të plotësohen disa kushte.

Florenti, i cili është shumë i emocionuar që gjendet brenda objektit të shkollës, shpreson shumë që nga e hëna do të hyjë edhe ai në klasë.

Ardhja e Florentit në shkollë do t’i gëzonte edhe shokët e tij. Deri në takimin brenda klasës, ata e përshëndesnin Florentin nga larg.

 

Shpërndaje në: