Edhe anëtari i respektuar i VV-së akuzon se po fshihet historia e partisë

Edhe anëtari i respektuar i VV-së akuzon se po fshihet historia e partisë

Vetëvendosje është kritikuar ashpër për fshirjen e historisë së saj para zgjedhjeve të 14 shkurtit kur vendosi që heshturazi të fshinte komunikatat që përbënin dokumentimin e angazhimeve të saj për 15 vjet ekzistencë. Por, duket se fshirja e historisë po vazhdon pa shumë fjalë edhe në të tjera vende të Kosovës. Kjo duket se po ndodh në Kaçanik.

Periskopi kishte raportuar për javë të tëra se si Vetëvendosje po fshinte disa prej komunikatave më domethënëse të saj që shprehnin qëndrime politike në kohën kur po formësohej si lëvizje politike.

Vetëvendosje më pas kishte reaguar duke thënë se do t’i ripublikonte komunikatat me emra autorësh, edhe pse kishin qenë të shkruara në formë editoriale [pa autorë].

Por, kjo nuk kishte ndodhur.

E tash, ish kandidati për kryetar të komunës së Kaçanikut nga Vetëvendosje, ka adresuar kritika ndaj qendrës së kësaj partie në këtë qytet, pikërisht për një çështje të tillë.

Në një shkrim të gjatë të titulluar “Mos e preni degën mbi të cilën po qëndroni”, z. Kodra ka denoncuar partinë e tij se po fshin historinë para vitit 2017.

“Kështu për shembull, nuk është e vështirë të vërehet se si përpiqen jo vetëm ta rrëgjojnë, pakësojnë e zvogëlojnë, por edhe ta zhdukin madje fare veprimtarinë e Lëvizjes para vitit 2017, duke theksuar rrejshëm se partia LV opozitë të vetme, të vërtetë, dhe të fuqishme paska bërë vetëm nga viti 2017-2018 e këndej!” – shkruan ndër tjerash Kodra, transmeton Periskopi.

Por, a është kjo e rastësishme apo ka qëllime të caktuara politike brenda?

“Nuk ka dyshim se kjo s’mund të jetë rastësi. Nuk ka dyshim se kjo bëhet me porosi. Nuk ka dyshim se kjo është pjesë e strategjisë politike zgjedhore që buron nga një pikëpamje e errësuar mendore e cila prodhon këtë lloj fushate sa të poshtër moralisht aq edhe të dëmshme funksionalisht pikë së pari dhe më së shumti për vetë bartësit dhe përfituesit e shpresuar të saj.” – shkruan më tej Kodra.

Reagimi i plotë:

Mos e preni degën mbi të cilën po qëndroni!

Vërehet se disa partiakë dhe kandidatë për këshilltarë në Kuvendin Komunal të Kaçanikut nga partia Lëvizja Vetëvendosje po bëjnë fushatë politike jo etike. Dhe këtë fushatë të pandershme, në këtë rast, nuk e kanë të drejtuar kundër ndonjë subjekti tjetër konkurrent, por për çudi, kundër vetvetes! Në përpjekje për ta paraqitur veten, dhe kandidatin e tyre për Kryetar, sa më të mirë, sa më të denjë e sa më të merituar për tu zgjedhur aty ku duan, këta partiakë të pavëmendshëm, të pakujdesshëm, dhe të pakujtesshëm, po bëjnë edhe falsifikime jo vetëm të jetëshkrimeve të tyre, por dhe të partisë e cila dikur ishte Lëvizje Kombëtare me ideale të larta qytetare dhe atdhetare.

Po lë mënjanë falsifikimet e dodisave në lidhje me kohënisjen dhe kohështrirjen e veprimtarive të tyre, për t’u marrë këtu vetëm me falsifikimin e veprimtarisë së vetë organizatës, përkatësisht Qendrës (Degës) së LV në Kaçanik. Kështu për shembull, nuk është e vështirë të vërehet se si përpiqen jo vetëm ta rrëgjojnë, pakësojnë e zvogëlojnë, por edhe ta zhdukin madje fare veprimtarinë e Lëvizjes para vitit 2017, duke theksuar rrejshëm se partia LV opozitë të vetme, të vërtetë, dhe të fuqishme paska bërë vetëm nga viti 2017-2018 e këndej!

Ndonëse ne si individë shoqërorë kemi ardhur në këtë botë në një kohë të caktuar dhe njohuritë për mjedisin që na rrethon dhe jetën që zhvillojmë i ndërtojmë në radhë të parë prej vetë përvojës tonë e cila fillon të krijohet në mënyrë më të vetëdijshme fill pas fare pak viteve të para, kjo nuk do të thotë kurrsesi se para nesh nuk kishte as bimë, as shtazë e as njerëz, dhe se gjithçka rretherrotull ishte asgjë, ndërsa historia jo vetëm e njerëzimit por edhe e gjithësisë nisi me ne dhe do të përfundojë vetëm me ne!

Si bëhet që nuk e kuptojnë këta partiakë të entuziazmuar nënsqetullorë se me veprimtari politike opozitare në këtë parti janë marrë jo vetëm pak më herët, por edhe shumë më herët edhe vetje të tjerë, madje kur kjo parti ishte Lëvizje që s’donte as të garonte në zgjedhje, jo pak prej të cilëve ish të burgosur politikë dhe luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët bënë punë e lanë mund jo të vogël, rrezikuan veten dhe familjet e tyre edhe pas largimit të pushtuesit, duke ndërtuar çerdhen opozitare në vendin me më shumë grabitqarë partiakë e politikë.

Kanë marrë këta individë informacione për ato kohë? I kanë lexuar shkrimet kritike të Lëvizjes Vetëvendosje, dhe të miat vetore në këtë mes, kundër pushtetit qendror dhe këtij vendor të botuara nëpër gazetat tona të përditshme prej vitit 2005 e këndej? I kanë dëgjuar apo lexuar këta partiakë diskutimet në Kuvendin Komunal që këshilltarët nga LV bënin gjatë mandatit katër vjeçar (2013-2017)? E dinë këta se në mandatin e parë në Kuvendin Komunal LV, pos tjerash, ka provuar të nxjerrë edhe deklaratë kundërshtuese ndaj marrëveshjeve qeveritare për themelimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, duke e vënë këtë çështje edhe në rend dite në mbledhje të Kuvendit? Kanë marrë pjesë këta entuziastë që flasin kështu mohueshëm për veprimtarinë e paratyre, në protesta, demonstrata, e në aksione të quajtura simbolike? Kanë marrë pjesë këta militantë në fushatat zgjedhore qendrore a vendore ku zhvillohej veprimtari politike e ngjeshur? E dinë këta se kush ishin meritorët që e ndaluan vjedhjen masive të votave në vitin 2010, kur Qendra e LV në Kaçanik dërgoi vëzhduesit e saj edhe Drenicë e Mitrovicë? Kanë marr vesh këta njerëz se për shkak të veprimtarisë së tyre opozitare shumë aktivistë nuk arrinin kurrë të gjenin ndonjë vend pune në institucionet publike pavarësisht diplomës universitare, ndërsa sa të tjerë janë kërcënuar, arrestuar, burgosur, plagosur dhe përjashtuar nga puna?! Sa prej këtyre patriotëve të sapozgjuar kanë pasur fat të ngjashëm? Pse atëherë ajo veprimtari politike opozitariste e asaj periudhe nuk na qenka e vërtetë ndërsa e vërteta na qenka kjo dhe vetëm kjo e viteve 2018-2021? E të tjera, të ngjashme e të pangjashme, me radhë e pa radhë, siç do të thoshte një i mirënjohur shkrimtar.

Nuk ka dyshim se kjo s’mund të jetë rastësi. Nuk ka dyshim se kjo bëhet me porosi. Nuk ka dyshim se kjo është pjesë e strategjisë politike zgjedhore që buron nga një pikëpamje e errësuar mendore e cila prodhon këtë lloj fushate sa të poshtër moralisht aq edhe të dëmshme funksionalisht pikë së pari dhe më së shumti për vetë bartësit dhe përfituesit e shpresuar të saj.

Nuk e kuptojnë të mjerët se me këto veprime po presin degën në të cilën po qëndrojnë duke e fundosur kështu edhe vetveten përtokas!

E kanë harruar porosinë e mençur popullore: Nëse hapë një bunar të ri mos pështyjë në atë të vjetrin! Nuk duan të dinë se edhe bunari i ri mund të mos del aq ujësjellës sa bunari i vjetër.

Shpërndaje në: