Edhe gruaja e këshilltarit të Vjosa Osmanit hedh dyshime serioze në përzgjedhjen e Bordit të RTK-së

Edhe gruaja e këshilltarit të Vjosa Osmanit hedh dyshime serioze në përzgjedhjen e Bordit të RTK-së

Zonja Vlora Konushevci ka denoncuar mënyrën se si është bërë intervistimi i kandidatëve për bordin e RTK-së.

Konushevci, një profesioniste e fushës me përvojë të gjatë që është edhe bashkëshortja e këshilltarit për media të presidentes Vjosa Osmani, është shprehur veçanërisht e pakënaqur me trajtimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Shpërfillja dhe injorimi i deputetëve, të cilët gjatë përgjigjeve i përdornin telefonët e laptopët ishte sa dekurajuese aq edhe përçmuese. Vlerësimi i kandidatëve në anën tjetër, i bërë publik nga shoqëria civile, ishte sa qesharak aq edhe fyes. Ngjashëm sikurse vlerësimi i rregullsisë së procesit nga ana e shoqërisë civile që po përpiqet këtë proces ta paketojë si të suksesshëm.” – thotë znj Konushevci, përcjell Periskopi.

Ajo dyshon se i gjithë ky proces është bazuar në parimin e meritokracisë.

Madje, Konushevci hedh dyshime se mund të ketë pasur një lloj pazari mes anëtarëve të komisionit vlerësues ad hoc dhe anëtarëve të shoqërisë civile.

“Mbase ky validim vjen edhe si rezultat i përkrahjes së anëtarëve të shoqërisë civile për bordin e RTK-së nga ky Komision, mbase…!” – thotë ajo.

Statusi i plotë dhe pa ndërhyrje:

Vrojtim personal i “punës” së komisionit parlamentar në përzgjedhjen e kandidatëve për bord të RTK-së

Salla ku mbaheshin intervistat ndodhej në katin e dytë të ndërtesës së Kuvendit, me hapësirë të mjaftueshme për të akomoduar diku rreth tridhjetë persona, deputetë, shoqëri civile dhe stafin e nevojshëm administrativ. Por ishte tepër e vogël për të akomoduar shpërfilljen, injorimin dhe arrogancën e deputetëve ndaj kandidatëve (veç meje tashmë u bënë publike mbi pesë reagime) për më keq në sy të shoqërisë civile.

Ambienti i brendshëm me gjithë ata njerëz ishte kërcënues dhe ta jepte ndjesinë e të qenit në gjyq. Shpërfillja dhe injorimi i deputetëve, të cilët gjatë përgjigjeve i përdornin telefonët e laptopët ishte sa dekurajuese aq edhe përçmuese. Vlerësimi i kandidatëve në anën tjetër, i bërë publik nga shoqëria civile, ishte sa qesharak aq edhe fyes. Ngjashëm sikurse vlerësimi i rregullsisë së procesit nga ana e shoqërisë civile që po përpiqet këtë proces ta paketojë si të suksesshëm.

Ky relacion ndërvarësie më së miri do të pasqyrohej me atë të shokut Zylo dhe vartësit të tij Demkos, apo Don Kishtotit me Sanqo Pançon. Që nuk është edhe çift i keq, siç do të thoshte babai im i ndjerë, ngase pikërisht ky çiftëzim prodhoi Marksin me shokë. Në anën tjetër, siç do të shprehej Kafka, tragjedia e Don Kishotit nuk është imagjinata e tij por Sanqo Panço. Pra, edhe në këtë rast, tragjedia e këtij Komisioni nuk është mosgatishmëria për të vlerësuar dhe gjykuar drejtë por validimi që i bëhet nga shoqëria civile e cila e ushqen opinion publik me iluzionin e parimit të meritokracisë. Mbase ky validim vjen edhe si rezultat i përkrahjes së anëtarëve të shoqërisë civile për bordin e RTK-së nga ky Komision, mbase…!

Më falni, por në cilin univers vlerësohet kandidati për 15 minuta, nga një komision anëtarët e të cilit nuk i përkasin fushës dhe mbajnë qëndrime shpërfillëse e injoruese?!

Apo ndoshta pyetje duhet parashtruar vetes: Më falë zonjë e nderuar, por në cilin univers ti ke besuar se do të vlerësohesh?! Dhe përgjigja ime do të ishte:  në këtë univers, gjatë kësaj legjislature së cilës i kam besuar. Kam pas raste e raste në të kaluarën të kontribuoj në sektorë të ndryshëm “pa kunkuru”, por i kam refuzuar duke mos dashur të asocohem me subjekte apo praktika të tilla.

Ndërkaq kësaj radhe, ende pa ardhur koha e intervistimit, jam gjykuar prej mediave për guximin që të konkurroj. “The audacity”, që do të thoshte Obama, apo guximi për të shpresuar më ka bërë temë në media. Tituj bombastik që më reduktonin mua në të qenit vetëm gruaja e këshilltarit të Presidentes, të vetëdijshëm se këshilltari ishte aty si profesionist i fushës dhe jo si tifoz a militant i ndonjë partie, të vetëdijshëm se pozita e këshilltarit nuk ka fuqi ekzekutive. Pa përfillje për përvojën time 21 vjeçare në institucione vendore e ndërkombëtare, për përgatitjen profesionale, për kontributin në letërsi dhe në promovim të saj, në përkthimin letrar dhe promovimin e vlerave të mirëfillta brenda dhe jashtë vendit, pra unë u shndërrova veç në gruan e filanit.

Shumë pak gjëra në botë janë më të rrezikshme sesa përzierja e pushtetit me arrogancë dhe paaftësi! Është dëshmuar tashmë se kjo përzierje është vdekjeprurëse por unë, si një idealiste e pa përmirësuar, uroj më gjithë zemër që të jem gabim!

Le të dihet të paktën që ky komision, veç tjerash, e ka shkelë me të dy këmbët Ligjin për RTK-në, respektivisht nenin 25, paragrafin 3 i cili deklarativisht e përcakton se anëtarët e bordit të RTK-së janë personalitete të dalluara të fushave të ndryshme si: kultura, arti, kinematografia, gazetaria, drejtësia etj.

Ta zgjedhësh një bord me emra të shquar në fushën e angazhimit përkatës dhe një bord me emra profesionesh të caktuara, ka dallim! Ndaj, kësaj here është përmbushur vetëm një obligim ligjor: që nga ajo mori konkurruesish të dalë një Bord i RTK-së.

Habemus Bordi i RTK-së, të tjerat janë rrëfime të njohura!

Shpërndaje në: