“Edhe nëse ishte i dehur, nuk e justifikon dhunën, e aq më pak vrasjen”: Flet vëllai i Agon Zejnullahut
Alban Zejnullahu, vëllai i 27-vjeçarit Agon Zejnullahu i cili vdiq në rrethana të dyshimta në Lipjan, është deklaruar publikisht për rastin që ka tronditur opinionin.
Ai foli me emocione për vdekjen e vëllait të tij, duke e quajtur ngjarjen të papranueshme dhe të tmerrshme, sidomos në një vend që pretendon të jetë demokratik.
“Se di qysh lejohet në një shtet demokratik me ndodh diçka e tillë. Edhe nëse do ishte nën ndikim të alkoolit, ligji nuk ta lejon dhunën pse është një person i dehur, dhe në fund edhe vrasjen”, tha ai.
Tutje Zejnullahu, shprehu edhe pakënaqësinë për mënyrën se si është trajtuar rasti nga policia.
“Policët, nëse muj me i quajt policë, e kanë thirr mjekën. Dhe mjekja, qysh ka thënë, e cila nuk ka arsye të gënjejjë sepse nuk e njohim fillimisht, kështu që ajo zonja që nuk po më kujtohet emri, e ka marrë një telefonatë për një rrahje diçka. Kur ka shku në vendngjarje ia kanë kumtuar si një rrahje me ndonjë gërvishtje. Kur ka shku në vendin e ngjarjes, e ka gjetur të vdekur, me pranga, në mënyrë të tmerrshme”, rrëfeu ai në klan kosova.
Rasti i vdekjes së Agon Zejnullahut po hetohet nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe Prokuroria, ndërsa pesë zyrtarë policorë janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”./Periskopi/



