Edi Rama në NATO kërkon që Kosova të ftohet menjëherë në Partneritetin për Paqe

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kërkuar në Samitin e NATO-s, që po mbahet në Madrid, që Kosova të ftohet menjëherë në mekanizmin e Partneritetit për Paqe. Ai po ashtu ka kërkuar nga vendet e NATO-s që nuk e njohin Kosovën, që ta bëjnë atë sa më shpejt.

Rama po ashtu ka thënë se qëndrimi i Kosovës ndaj agresionit rus në Ukrainë duhet të vlerësohet.“Kërkova që Kosova të ftohet menjëherë në mekanizmin e Partneritetit për Paqe. Vendet që nuk e njohin ende Kosovën duhet të vlerësojnë qëndrimin e saj krejt të njehsuar me BE-në ndaj agresionit rus mbi Ukrainën – pavarësisht se Ukraina nuk e ka njohur ende Kosovën”, ka shkruar Rama në Twitter.

Kosova ka kohë që po kërkon përfshirjen në mekanizmin e Partneritetit për Paqe.

Partneriteti për Paqe është program në kuadër të NATO-s, nëpërmjet së cilit synohet që të ndërtohen marrëdhënie të sigurta, të rritet stabiliteti e të zvogëlohen kërcënimet ndaj paqes mes vendeve partnere dhe NATO-s, por edhe ndërmjet vendeve partnere. Derisa më parë përmes këtij programi është synuar që të hiqen barrierat mes vendeve e ofrohet siguri nëpërmjet dialogut e bashkëpunimit, tani ky program përfshin edhe trajtimin e sfidave të sigurisë.