Edita Tahiri kritikon qasjen e Kurtit në dialogun me Serbinë: Do ta pësojë tutje Kosova

Edita Tahiri kritikon qasjen e Kurtit në dialogun me Serbinë: Do ta pësojë tutje Kosova

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri ka reaguar pas takimeve të fundit të ndërmjetësuesit të Dialogut të Brukselit, Peter Sorensen me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuciç.

Tahiri tha se gjatë këtyre takimeve, Vuçiq ka kërkuar formimin e Asociacionit, ndërsa Kurti ka kërkuar normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, e jo njohje reciproke mes dy shteteve.

“Vuçiqi kërkoi Asociacionin, Kurti kërkoi normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, në vend se të kërkojë njohje reciproke mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Tahiri.

Sipas saj, kjo qasje e kryeministrit rrezikon ta vendosë Kosovën në pozitë të pafavorshme në raport me presionin ndërkombëtar.

“Me këtë qasje të Kurtit, diplomacia do t’i bëjë presion Kosovës për Asociacionin, ndërsa nuk do t’i bëjë presion Serbisë për njohjen reciproke”, theksoi ajo.

Tahiri shtoi se njohja reciproke është përkrahur nga ish-presidenti amerikan Donald Trump dhe më herët edhe nga Joe Biden.

“Diplomacia është negociatë, por me mungesë të dijenisë të Qeverisë Kurti, do ta pësojë tutje Kosova”, përfundoi Tahiri në reagimin e saj./Periskopi/

Shpërndaje në: